Demaku: Radikalizmi erdhi nga organizatat joqeveritare arabe

Ish-drejtori kundër terrorizmit në SHIK, Fadil Demaku tha se aksionet e Policisë së Kosovës për arrestimin e të dyshuarve për terrorizëm as që nuk duhet vënë në dilemë nëse do të duhej të kryheshin.

Lajme

14/08/2014 19:14

Ai në intervistë dhënë për Info Magazinë të Klan Kosovës ka thënë se problemi qëndron tek strategjia e shtetit për të luftuar dukurinë e terrorizmit në Kosovë.

“Nuk është dilemë nëse duhet t’i luftojmë dukuritë e tilla apo jo, ajo cka për mua është e rëndësishme është se patjetër shteti duhet të jetë i fuqishëm dhe i vendosur për të ndërmarrë masa ndaj tyre por mendoj që ne duhet të kemi një strategji të mirë në mënyrën se si duhet të veprohet ndaj këtyre individëve dhe grupeve të caktuara”.

Duke folur për kohën sa ishte drejtor i kundër terrorizmit në SHIK, Demaku ka thënë se menjëherë pas luftës, përmes organizatave humanitare kryesisht nga vendet arabe janë importuar edhe idetë radikale.

Ai thotë se në atë kohë, me mundësitë që SHIK ka pasur, ka arritur që të parandalojë veprimet terroriste të individëve të caktuar.

“Pas përfundimit të luftës vendi ynë ishte duke dalë nga një shkatërrim i madh dhe një dhembje e madhe që dolëm nga lufta dhe menjëherë pas lufte ne ishim në një lloj ç’organizim total. Në atë kohë, shumë individë shumë organizata të ndryshme joqeveritare nga vende të ndryshme të botës arabe sidomos ja mësynë Kosovës, gjithmonë në emër të gjoja të humanizmit, por nën atë ombrellë në atë kohë kishin tentuar edhe janë futur individë të caktuar nga vende të ndryshme dhe këta individë janë parë si individë të rrezikshëm. Ata kanë shfrytëzuar edhe territorin e Kosovës në atë kohë për tu fshehur por edhe kanë zhvilluar aktivitete që qëllimi i tyre ishte indoktrinimi i të rinjve sepse ne deri atëherë nuk kishim probleme të natyrës së tillë, sepse tek ne predikohej islami tradicional”.

“Menjëherë pas asaj kohe filluan dukuri të tilla dhe zhvillime të tilla dhe ne jemi angazhuar maksimalisht por kemi pasur vështirësi të mëdha. Por, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të kolegëve të mi dhe përkrahjes së madhe të miqve tanë ndërkombëtarë ne jemi munduar dhe mendoj që në atë kohë kemi bërë më të mirën e mundshme në parandalimin e veprimeve që kanë mundur të bëhen dhe demaskimin e individëve dhe grupeve që mundoheshin që të predikonin një radikalizëm të tillë në vendin tonë”.

Demaku thotë se disa prej të rinjve kosovarë janë indoktrinuar në mënyrë të pavetëdijshme, duke mos ditur se ku mund t’i çojë kjo rrugë.

“Gjatë këtyre viteve të fundit të rinjtë tanë shkuan në vende të ndryshme dhe nuk e kam fjalën për Siri, por kanë shkuar për tu edukuar jashtë vendit dhe gjatë asaj kohe ata shumë lehtë kanë mundur të indoktrinohen dhe të rekrutohen nga grupe të caktuara ekstremiste. Ata individë kanë vepruar në mënyrë të ndryshme që ato ide t’i sjellin në Kosovë dhe natyrisht se këtu kanë gjetur njerëz që mund të indoktrinohen dhe shumë prej tyre e bëjnë këtë gjë në mënyrë naive dhe të pavetëdijshëm se ku po futen dhe cili mund të jetë përfundimi i tyre”, ka thënë Demaku për Klan Kosova.