Deliu: Vetëvendosje dhe partnerët po e mbajnë peng Kuvendin, zgjidhja është në duart e tyre

Deputetja e zgjedhur nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas dështimit të seancës së 49-të konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se me gjithë afrimin e përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete që do të mund të zhbllokonte situatën. “Përderisa nuk…

Lajme

19/07/2025 12:38

Deputetja e zgjedhur nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas dështimit të seancës së 49-të konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se me gjithë afrimin e përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete që do të mund të zhbllokonte situatën.

“Përderisa nuk ka ende asnjë lëvizje dhe afati 30-ditor i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përfundon për pak ditë, ende është larg të besohet se do të ketë zgjidhje situatës sepse nuk po shihet që ka ndonjë vullnet politik që të lëvizet nga situata e rëndë e krijuar,” tha Deliu, raporton lajmi.net

Ajo shtoi se shpreson që gjatë ditëve në vijim të ketë përpjekje për zgjidhje, por përgjegjësinë e vuri mbi një grup të caktuar politik.

“Natyrisht janë edhe këto dy tri ditë, mbase do të ketë lëvizje. Çështja e zgjidhjes së situatës, pengmarrjes politike të Kuvendit të Kosovës është bërë nga një parti politike, nga Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo-Alternativa, pra është në dorën e tyre të gjejnë zgjidhje,” theksoi ajo./Lajmi.net/