​Deliu-Kodra e pyet Aliun: Pse nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi

Në seancën plenare, ka vazhduar debati për shkeljet dhe parregullsitë në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka pyetur ministrin Liburn Aliu për anulimin e projekteve ku janë hasur keqpërdorimet dhe pse nuk ka shkarkuar askënd për këto parregullsi.

Lajme

07/07/2022 12:40

Ajo në seancën e sotme ka përmendur edhe shkeljet që janë konfirmuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri.

“Pse nuk e keni shkarkuar askënd për këto parregullsi, për të cilat ju thatë që keni iniciuar vet auditim, e në fakt pse nuk e keni anuluar projektin kur keni pasur dyshime që po ndodhin keqpërdorime? Pse zotëri ministër nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi, i cili edhe vetë është deklaruar se ka lidhje të ngushta miqësore me disa kompanitë me të cilat ju i keni shpërblyer me kontrata milionëshe”, ka pyetur ajo Aliun.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se çdo raport i auditimit është i mirëseardhur, duke shtuar se distancimi do të ndodhë pas përfundimeve të hetimeve.

“Ju po thoni distancim, në momentin që hetimet të përcaktojnë konkretisht orientimin, patjetër që do të marrim masë. Absolutisht, asnjë moment të vetëm nuk mund të ketë pritje para çfarëdolloj orientimi nga ana e hetuesisë ndaj cilit do zyrtar qoftë ai”, ka shtuar ai.