Deklaratat e Kurtit se do t’i marrë në qeveri zbusin Listën Serbe

Fituesi i zgjedhjeve dhe kritiku më i madh i përfshierjes së Listës Serbe në qeveritë e Kosovës, Albin Kurti ka pranuar se edhe vet do t’i ketë brenda qeverisë.

Lajme

17/12/2019 23:19

Ai në një intervistë për Euronews Albania i pyetur për këtë çështje është shprehur se do të takohet me Listën Serbe dhe do t’i ketë pjesë të qeverisë.

Sipas tij, ai ka shpresuar se në Kuvend do të hyjë edhe ndonjë deputet tjetër që nuk është pjesë e kësaj liste, por sipas tij, duhet të respektohet Kushtetuta.

Ani pse kjo bie në kundërshtim me deklaratat e tij sa ishte në opozitë dhe me premtimet e tij gjatë fushatës elektorale – duket se këto deklarata po i pëlqejnë dikujt.

Lista Serbe ka filluar të zbusë qëndrimet në raport me institucionet e Kosovës duke thënë se do të respektojnë dhe nuk do t’i pengojnë formimin e tyre derisa këto institucione punojnë për të mirë të serbëve të Kosovës.

“Lista Serbe nuk do të lejojë diskriminimin e serbëve dhe përfaqësuesve të tyre në Kosovë dhe Metohi, por nuk do të pengojë formimin e institucioneve të Kosovës që do të punojnë për interesin e serbëve dhe pakicave tjera jo-shqiptare”, tha nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

Ai këto deklarata i ka bërë si reagim ndaj qëndrimit të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti se ky i fundit siç është lartcekur do të bisedojë me Listën Serbe.

“Lista Serbe nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë që punon në të mirë të serbëve”, tha Simiq.

Vlen të theksohet se koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është duke u arritur – dhe takimet janë ndërprerë. /Lajmi.net/