Deklarata e diplomatit amerikan për Ushtrinë e Kosovës, nxit reagime të ashpra në Serbi

Ndihmës Sekretari amerikan, Wess Mitchell nisi turin e tij të vizitave në Ballkan, duke u ndalur së pari në Kosovës. Kjo pa dyshim që ishte mesazh për të gjitha shtetet e tjera. Por me mesazhe më të qarta nga Amerika, Mitchell kishte ardhur për Ushtrinë. Ai në konferencë me presidentin Thaçi, bëri me dije se askush nuk do të mund ta ndalë procesin e transformimit të FSK-së.

Lajme

13/03/2018 21:26

“SHBA ka qenë mbështetëse shumë e ngushtë e transformimit të FSK-së dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë transformim në të gjitha nivelet. Mendoj se miqtë tanë në Beograd janë shumë të njoftuar me pozicionin e Amerikës dhe do ta përsëris këtë edhe në Beograd”, ka thënë Mitchell gjatë konferencës me Thaçin.

E këto deklarata të diplomatit amerikan nuk po mund asesi t’i pranojë Beogradi zyrtar. Sipas tyre, në Kosovës është vetëm një ushtri, ajo e KFOR-it.

I pari reagoi ministri i mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin.

Sipas Vulinit krijimi i Ushtrisë së Kosovës është “rrezik për stabilitetin në Ballkan”, transmeton lajmi.net

“Nuk ka forca tjera të armatosura në Kosovë veç KFOR-it. Ushtria e Kosovës do të ishte shkelje e rezolutës 1244 dhe do të kishte pasoja ndërkombëtare. Për Serbinë, krijimi i një force të paligjshme do të ishte e papranueshme dhe kërcënim për stabilitetin në Ballkan”, tha ministri serb.

Ndaj deklaratave të qarta të Mitchellit ka reaguar edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun.

Ai ka thënë për Novosti se tashmë Amerika po e mbështetë publikisht formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ata e kanë çuar infrastrukturën, dhe kanë stërvitur personelin komandues në Kosovë, e madje e kanë bërë edhe armatosjen. Tani duket se qëndrimi i Uashingtonit ka ndryshuar, dhe ai ka dërguar mesazh të qartë se projekti i Ushtrisë nuk do të pengohet nga askush”, thotë Drecun për Novosti.

Për këtë çështje është deklaruar edhe një gjeneral serb tashmë i pensionuar.

Sipas tij, Amerika synon që ta rrisë praninë ushtarake në rajon, duke shfrytëzuar pavarësinë e Kosovës.

Të gjitha këto deklarata vijnë pikërisht në kohën kur Ndihmës Sekretari amerikan po qëndron në Beograd.

Gjatë vizitës në Ballkan ai ka mohuar se ka ardhur me një plan për Kosovën. Mitchell theksoi se ka ardhur vetëm që ta avancojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, sa i përket formimit të Ushtrisë votat e serbëve do të jenë kryesore. Në të kundërtën ky proces do të realizohet pa ndryshime kushtetuese, por vetëm me rritjen e kompetencave. /Lajmi.net/

 Michelle dhe Thaçi