Deda: Thaçi s’ka përkrahje të ndërkombëtarëve për president, zgjedhjet këtë vit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ilir Deda, në emisionin “Info - Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se beson se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Lajme

04/02/2016 14:35

Ilir Deda, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se nuk beson që shefi i PDK-së, Hashim Thaçi, do të zgjidhet president. Sipas tij, zgjedhjet do të mund të mbaheshin në muajin prill.

“Ne duhet t’i kthehemi temës së zgjedhjes së presidentit nga ana e qytetarëve. Mendoj që Kosovës i duhet një president që ka legjitimitet të votës së qytetarëve”, ka thënë Deda.

Deputeti i VV-së, deklaroi se e shikon si zgjim të një pjesë e deputetëve të LDK-së, të cilët e kanë thyer idenë se deputetët e kësaj partie e mbështesin Thaçin.

“Madje, Thaçi nuk do ta ketë kuorumin e mjaftueshëm prej 80 deputetëve ditën e votimit në Kuvend, por as përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Deda për RTV Dukagjinin, transmeton lajmi.net.

Deda tha se Thaçin në SHBA nuk e takoi asnjë zyrtar i shtetit në takime zyrtare. “Ambasada i ka demantuar deklaratat e tij se e ka mbështetjen e SHBA-ve për postin e presidentit. Në fund më e rëndësishmja është se presidentin a e përkrah populli ose jo”, ka shtuar Deda.