Deda: Qeveria krijohet nga partitë, jo nga deputetët individualë

13:47 | 14 Korrik 2017

Deputeti i “Alternativës”, Ilir Deda, ka thënë se asnjë deputet i këtij subjekti, e as i tërë koalicionit LAA, nuk do të bashkëpunojë me koalicionin PDK-AAK-Nisma.

“Qe një muaj rresht kemi thënë qe nuk ka deputet në LAA që do ta përkrahë Qeverinë e PAN-it. Natyrisht që ‘Alternativa’ nuk e përkrah qeverinë PAN”, është shprehur ai.

Sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë që një qeverie t’i mundësohet shumica nga deputetë të caktuar.

“Në demokracitë parlamentare Qeveria krijohet nga partitë politike që e kanë shumicën në Kuvend. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një qeverie t’i mundësohet shumica nga deputetë individualë të partive të tjera. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm për themelim të institucioneve”, ka theksuar Deda gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Kurse, edhe përfaqësues të lëvizjes “Vetëvendosje”, partisë së dytë me më së shumti vota, kanë deklaruar disa herë se nuk do ta mbështesin formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN.

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri konsideron se Ramush Haradinajn nuk do ta votojnë deputetët e “Vetëvendosjes” e as të koalicionit LAA.

“Deputetët e VV-së e të LAA-së s’do ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër. Tash edhe Marko Gjuriq deklaroi se as Lista Serbe nuk do ta votojë Haradinajn, sepse do t’i lërë shqiptarët vetë ta bëjnë Qeverinë, e jo me ndihmën e deputetëve serbë. PAN-i ka të drejtë edhe të thotë se do ta bëjë Qeverinë”, ka potencuar Tahiri.