Deda: LAN-VV ta krijojë Qeverinë, PDK ta ketë kryeparlamentarin

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda mendon se protestat do të ishin një formë për të hequr PDK-në nga pushteti, pasi, sipas tij, kjo parti po qëndron në pushtet me “kokëfortësi”.

Lajme

29/10/2014 23:55

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, Deda tha se më urgjente tashmë për Kosovën është formimi i qeverisë së re.

“Ajo çka është e qartë është se pavarësisht që kanë kaluar 5 muaj, ky ballafaqim që po ndodh tash po ndodh për shkak të zaptimit të shtetit nga PDK dhe nga kokëfortësia e tyre për të mbajtur pushtetin”.

“Kur ka një kokëfortësi të tillë për ta lëshuar pushtetin duhet të ketë reagim qytetar përmes protestave. Ajo çka është urgjente është që të ketë qeveri sa më shpejt”.

Sipas Dedës, ka dy forma për të dalë nga kriza politike, e para është të ndiqen shembujt e shteteve evropiane dhe, e dyta, që LAN-VV të marrë Qeverinë dhe PDK-së t’i mbetet kryeparlamentari.

Por, ai thotë se për këtë gjë ende nuk kanë vendosur liderët politikë të partive të Bllokut.

“Ose duhet ndjekur rrugët që kanë ndjekur vendet e tjera në Evropë ose do të shkojmë me mënyrën që kryeparlamentari t’i mbetet PDK-së dhe ne ta marrim Qeverinë”.

Deda thotë se marrëveshja e nënshkruar nga LDK, AAK dhe Nisma, ku thuhet se kryeparlamentari i takon LDK-së, duhet të rishikohet.

“Vetëvendosje nuk ka qenë pjesëmarrëse në marrëveshjen e LAN, por ne e respektojmë marrëveshjen. Por nëse ajo është e pa implementueshme, duhet të rishikohet. Do të shohim nëse do ta hapim atë marrëveshje”.

“Mendoj se Kosova duhet të ketë sa më shpejt qeverinë e re.Për qeverinë e re duhet marrëveshje shtesë dhe ndarja e përgjegjësive në mes të subjekteve”, tha Deda për KTV.