Deçani arrin marrëveshje me Manastirin, historianët kundër

Komuna e Deçanit arrin marrëveshje me Manastirin e cila zgjidh disa konteste rreth shfrytëzimit të pyjeve mbi Manastir. Historianët lokalë kundërshtojnë dhe paralajmërojnë protesta, por marrëveshja u mirëprit nga AAK.

Lajme

24/02/2014 19:39

Lidhja e Historianëve e Kosovës ”Ali Hadri” në Deçan, ka kundërshtuar arritjen e marrëveshjes së Memorandumit të mirëkuptimit në mes Komunës dhe Manastirit të Deçanit dhe kanë paralajmëruar protesta popullore kundër marrëveshjes që u përshëndet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, aprovimin e këtij memorandum e shef si zhbllokim të situatës. Ai tha se komuna do të veprojë me kujdes të shtuar duke mos cenuar interesin e qytetarëve deçanas.

Sidoqoftë Asambleja Komunale e Deçanit të premten pritet të votojë në memorandumin shtatëpikësh i cili parasheh zgjidhjen e problemeve kontestuese në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit, rreth dy pronave kontestuese të dy-ish ndërrmarjeve shoqërore ”Apiko” dhe ”Iliria”.

Mirëpo Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” dhe qytetarët deçanas kanë paralajmëruar protesta gjithëpopullore për të penguar votimin e këtij memorandumi të inicuar nga Amabasadori gjerman në Prishtinë Peter Blomeyer, raporton RTK.

Komuna nuk ka folur shumë për kushtet e kësaj marrëveshjeje, por këtë e ka bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila qeveris në Deçan.

AAK ka përshëndetur arritjen e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Komunës dhe Manastirit të Deçanit mbi elementet e një marrëveshjeje miqësore.

AAK ka vlerësuar vullnetin e Manastirit të Deçanit që, përmes këtij memorandum, t’ia bartë Komunës të drejtën e shfrytëzimit të parcellave malore, si park rekreative-turistik, në shërbim të të gjithë qytetarëve, te menaxhuara përmes një bordi të përbashkët; dhënien e pëlqimit për ndërtimin e rrugës që çon në Grykën e Deçanit; dhe dhënien e pëlqimit për investime në kampin turistik “Pushimorja e Deçanit”.

“AAK përkrahë marrjen e obligimeve nga Komuna e Deçanit dhe institucionet qendrore për kompensim të pronarëve potencialë privatë dhe kërkesava legjitime të punëtorëve, në bazë të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e AAK’së.

Kjo parti ka falënderuar të gjithë akterët, lokalë e ndërkombëtarë, që kontribuan në arritjen e këtij memorandumi dhe vlerëson kontributin e të gjithëve në zhbllokimin e situatës.

“Kjo është një fitore e të gjithëve, dhe i jep fund agonisë së zhvillimit të gjithëmbarshëm të Deçanit dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.