Debati për vendet e rezervuara

Deputetët e partive politike e vlerësojnë si korrekt qëndrimin e Ambasadores Jacobson për vendet e rezervuara. Sipas tyre, deklarata e Jacobson tregon se SHBA nuk do të ndërhyjë në çështjen e ulëseve të rezervuara.

Lajme

20/12/2013 10:40

Deputetët e partive politike e kanë vlerësuar si qëndrim korrekt dhe jo imponues atë të Ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson, lidhur me çështjen e ulëseve të rezervuara, për të cilën komuniteti pakicë po kërkon edhe dy mandate shtesë.

Ambasadorja Jacobson ka deklaruar këtë të martën se mbështetë kërkesën për të vazhduar mandatin për ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Por, sipas saj për këtë duhet të vendosin Institucionet e Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK`së,  Adem Grabovci, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se të gjitha veprimet e tyre do të jenë në koordinim me SHBA`të.

“Qëndrimet e PDK`së si zakonisht janë qëndrime të cilat shkojnë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës”.

“Gjithashtu ne kemi pasur një bashkëpunim të afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet mike të perëndimit dhe të gjitha veprimet tona i bashkëbisedojmë dhe i bashkë-koordinojmë, kështu do të veprohet edhe në të ardhmen”.

“Çështja e vendeve të rezervuara është një problem për të cilin duhet të arrihet një konsenzus në mes të spektrit politik dhe mundësisht edhe të shoqërisë civile”.

Grabovci shprehet i bindur se spektri politik kosovarë do të vendosë për opsionin më të mirë për qytetarët.

Deputetja nga radhët e LDK`së, Vjosa Osmani, ka përshëndetur qëndrimin e Ambasadores amerikane.

Osmani i ka thënë lajmi.net se qëndrimi i Jacobson ka treguar se SHBA nuk do të bëjë presion, por as të ndërhyjë sa i përket çështjes për ulëset e rezervuara.

“Qëndrimi i ambasadores amerikane dje, ka qenë shumë korrekt dhe ajo ka treguar që përkundër asaj se e kanë një propozim  e kanë një qëndrim, që përfundimisht këtë vendim do ta marrin institucionet e Kosovës dhe se SHBA`të as nuk bëjnë presion as nuk ndërhyjnë”.

“Ashtu siç e ka thënë edhe vet ambasadorja amerikane, ky do të jetë një vendim i Institucioneve të Kosovës dhe natyrisht që i takon secilit deputet dhe secilës parti politike por në veçanti deputetëve në bazë të ndërgjegjes së tyre dhe në bazë të obligimeve të tyre kushtetuese, që do të vendosin përfundimisht se si do të votojnë”.

“Ne natyrisht që jemi në bashkëpunim të plotë me shtetet e Quintit dhe vlerësojmë shumë që edhe ambasadorja amerikane kam mirëkuptim ndaj qëndrimeve tona”.

“Duke u bazuar në atë që e ka thënë ajo natyrisht që ne si institucione duhet ta marrim këtë vendim vetë dhe LDK`ja  e ka shprehur qëndrimin e vet nga i cili nuk largohet”.

Po ashtu edhe Nënkryetari i AAK`së, Ahmet Isufi ka thënë se deklaratat e Jacobson ishin të drejta.

“Ambasadorja Jacobson ka deklaruar që në Kosovë duhet të ekzistoj një balancë i funksionimit të shtetit, ndërsa e ka thënë qartë se vendimin e marrin institucionet e Kosovës në këtë rast Parlamenti i Kosovës”.

“Fuqia e parlamentit të Kosovës është në favor të deklaratës së ambasadores Jacobson”.

Por sa i përket ulëseve të rezervuara, Ahmeti ka thënë se qëndrimi i AAK`së, është që të zbatohet ligji dhe Kushtetuta e Vendit.

“Qëndrimi i ynë është që të zbatohet ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne i deklarojmë ato që janë ligj dhe Kushtetutë dhe kjo është kryesorja, ata që zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën ata qëndrojnë prapa shtetit të Kosovës”.