Debat për kryetarët e fshatrave në asamblenë e Ferizajt

Procesi i zgjedhjes së përfaqësuesve të fshatrave dhe bashkësive lokale në komunën e Ferizajt, i nisur para më shumë së dy viteve, ka mbetur në gjysmë. Mungesa e vullnetit politik për t'i dhënë zgjidhjen e duhur këtij procesi, por edhe politizimi i tij qysh në fillim siç duket e ka lënë peng këtë proces.

Lajme

31/01/2016 17:41

Përfaqësuesit e pushtetit, por edhe të opozitës, së fundi e kanë bërë fajtore një rregullore të Kuvendit, të cilën e kanë sjellë vetë, e që mandatin e përfaqësuesve e lidhë me mandatin e Kuvendit. Shikuar kronologjikisht ky proces ka nisur qysh në legjislaturën e kaluar me zgjedhjen e 16 kryetarëve të fshatrave, por që nuk është vazhduar pas zgjedhjeve të fundit lokale, transmeton lajmi.net

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Faruk Guri, ditë më parë u ka kërkuar këshilltarëve komunal që të nisin procesin e ndryshimit të kësaj rregulloreje, konkretisht heqjes së nenit 4 i cili po e kufizon mandatin e kryetarëve të fshatrave me atë të kuvendit.

“Procesi duhet të nisë nga e para, fillimisht të ndryshohet rregullorja dhe tek më pastaj të shpallen zgjedhjet për kryetarë të fshatrave dhe vendbanimeve urbane, mandati i të cilëve duhet të zgjasë katër vite”, ka thënë Guri, teksa ka shpjeguar se ndryshimi i rregullores duhet të kaloj nëpër procedurat e parapara, pa përjashtuar edhe diskutimin publik.

Në anën tjetër, opozita po mendon se Kuvendi pas marrjes së vendimit për ndryshimin e rregullores nuk duhet t’i hyjë procedurës së plotë të ndryshimit të saj, por vetëm të heq nenin 4 që e definon mandatin e kryetarëve.

“Propozimi që mandati i përfaqësuesve të fshatrave të mos lidhet me mandatin e kuvendit është parimor dhe kështu eliminon politizimin e këtij procesi, por që nuk duhet të zgjatet përmes procedurave të ndryshimit të rregullores aktuale”, ka thënë Gazmend Bytyqi nga radhët e PDK-së.

Por kështu nuk mendon bashkëpartiaku i tij, Ilir Orllati, i cili ishte i vetmi në Kuvend që shprehu mendimin e tij se zbatimi me kohë dhe i drejtë i kësaj rregulloreje nuk do t’i kishte sjellë këto probleme.

“Pushteti aktual ka qenë dashtë të zbatoj rregulloren në fuqi dhe me siguri tashmë do t’i kish im të gjithë kryetarët e fshatrave dhe zonave urbane “, ka thënë Orllati.

Për përfaqësuesit e pozitës neni 4 i rregullores i ka shkaktuar këto konfuzione, madje ata kanë kërkuar që sa më shpejtë të ndryshohet ajo në mënyrë që të fillohet me zgjidhen e problemeve që kanë lokalitetet e ndryshme.

Muhamet Çerkini, nga LDK-ja thotë se duhet të ndryshohet ky nen dhe se mandati i përfaqësuesve të fshatrave asesi të mos lidhet me mandatin e kuvendit.

“Me aprovimin e kësaj rregulloreje duhet të fillohet me procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve të fshatrave sepse nuk duhet humbur kohë, kur dihet se ka shumë punë për tu bërë nëpër fshatrat e komunës”, ka thënë Çerkini.

Mungesa e përfaqësuesve të fshatrave po shihet si hendikep në komunikim në mes ekzekutivit të komunës dhe komunitetit të fshatrave dhe bashkësive lokale. Gjatë një takim me të parin e Ferizajt, Muharrem Svarqa, këta të fundi kanë kërkuar që krahas përmbylljes së këtij procesi të kompensohen edhe për punën e tyre.

Ndryshe, ky proces në dukje do të merr kohë, andaj deri atëherë pushteti duhet të gjejë forma tjera të komunikimit me qytetarët për problemet e tyre. Komuna e Ferizajt i numëron 44 fshatra dhe gati po aq vendbanime dhe zona tjera, të cilat po presin që sa më shpejtë t’i kenë edhe kryetarët e tyre. /kp