Debakli parlamentar

Pa histori, nuk do të mbërrinim këtu ku jemi. Por nëse rrimë brenda saj, në atë trajtën më të mbrapsht të mundshme, siç ndodhi në Kuvendin e Kosovës, pak ditë më parë, atëherë, do të mbetemi pa të ardhme.

Opinion

05/08/2015 15:53

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, e të hënës së 3 gushtit, me rrjedhën e saj, me përmbajtjen e saj, me fjalët dhe fjalimet që janë dëgjuar në të, ka qenë, fatkeqësisht, justifikimi më i mirë i mundshëm i krijimit të Gjykatës Speciale.

Mbledhja e Kuvendit shfaqi, në mënyrën më brutale të mundshme, paaftësinë e politikës së sotme kosovare me u marrë me të kaluarën e këtij vendi, atë që në vitet 1998-të dhe 1999-të, bëri që shqiptarët dhe Kosova të bëhen rrëfimi kryesor në Botë, ku si në ato kallëzimet hollywoodiane, e mira ngadhënjen mbi të keqen.

Lufta e atyre viteve, që solli çlirimin e Kosovës, në sallën e Kuvendit të Kosovës, falë interpretimeve më të çoroditura të mundshme, të cilat jorrallë anonin kah shpjegimet që bashkojnë të poshtrën dhe të pështirën, u kthye në një fushëbetejë të brendshme politike, me istikamet e hapura në taborët parlamentare, ku fjalët shërbenin si armë dhe aktakuza, ku synohej të instalohej skema e kamotshme shqiptare e patriotizmit dhe tradhtisë, megjithëse, në atë vitin 1999-të, ne për herë të parë dolëm fitues, dhe në këtë mënyrë, shmangëm kobin e historisë që na ka përcjellë për dhjetëra vite.

Në vitin 2015 pra, gjashtëmbëdhjetë vjet pas asaj fitore të madhe, si politikë kosovare, ende nuk jemi në gjendje në mënyrë të esullt, pa emocione patetike, pa atë dalldinë pseudo-patriotike, pa përzier politikën e ditës me ngjarjet që tashmë kanë marrë vulën e tyre, të vlerësojmë historinë tonë, atë të mirëfilltën. Natyrisht, ajo histori, nuk ka gjë të përbashkët me mitet dhe legjendat e prodhuara pas luftës me shumicë, e të shitura në tregun e plaçkave me atë çmimoren ‘gjithçka 2 euro’, apo, me transformimin e saj në një interes zgjedhor politik. Zatën, ky është një problem i vazhdueshëm në politikën dhe shoqërinë kosovare: Përzierja e historisë reale me atë të sajuarën, ndërlidhja e një legjitimiteti politik me të bëmat e viteve të luftës, dyzimi i një të tashme që duhet ta ndryshojë Kosovën politikisht dhe në të gjitha mënyrat e mundshme, ashtu që ky shtet të bëhet pjesë e Perëndimit, me një të kaluar të falsifikuar që përherë na tërheq prapa me gravitetin e saj.

Sa kemi qenë humbës dhe popull tragjik, ka qenë fare e kuptueshme pse endemi vazhdimisht nëpër kapitujt e historisë e cila na ka bërë të tillë. Kur dolëm ngadhënjimtarë, në vitin 1999, me çlirimin e vendit, dhe në vitin 2008, me bërjen e shtetit, nuk është dashtë më ta bëjmë historinë Pikën e parë të rendit të çdoditshëm të politikës kosovare.

Pa histori, nuk do të mbërrinim këtu ku jemi. Por nëse rrimë brenda saj, në atë trajtën më të mbrapsht të mundshme, siç ndodhi në Kuvendin e Kosovës, pak ditë më parë, atëherë, do të mbetemi pa të ardhme.

Me përjashtime fare të rralla, mendimet dhe fjalori i seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, dëshmojnë sërish se në çfarë niveli ka ra politika e sotme kosovare.

Marrja me vetveten, me gabimet dhe dështimet tona, nuk është vetëm një obligim a detyrim ndërkombëtarë, siç është dëgjuar shpesh në atë seancë. Këtë nuk duhet ta bëjmë vetëm se po na e kërkojnë, edhe përmes bërjes së kësaj Gjykate, shtetet mike pa të cilat kurrë nuk do të dilnim fitues. Këtë duhet ta bëjmë, para dhe mbi të gjitha sepse ia kemi borxh vetes. Tek ne është krijuar përshtypja që krijimi i shtetit ligjor, luftimi i korrupsionit, bërja e një shoqërie tolerante, në çdo aspekt të mundshëm, politik, etnik, fetar, gjinor, forcimi i demokracisë, fuqizimi i shtetit, baraspesha sociale, të gjitha këto tipare të shtetit të Kosovës, duhet t’i mbërrijmë sepse ‘ata  (miqtë tonë, në radhë të parë, Amerikanët), po e kërkojnë këtë prej neve’, apo që ndryshe nuk mund të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Por në fakt, të gjitha këto veçori ne duhet t’i bëjmë elemente kyç të realitetit në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë, ne e bëjmë Kosovën shtet të njëmendtë, e bëjmë veten një rrëfim të suksesshëm.

Tash po na bie ndërmend, ta zëmë, që moti është dashtë vet ta bëjmë Gjykatën Speciale, dhe që po të vepronim me kohë, si duhet, nuk do të mbërrinim në këtë stad, kur kjo Gjykatë do të bëhet në këtë mënyrë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)