De Rossi dëshiron të bëhet trajner i Boca Juniors

Daniele De Rossi i dha fund karrierës si futbollist disa muaj më parë, pasi vendosi të lërë edhe Boca Juniors, që ishte skuadra e tij e dytë dhe e fundit në karrierë, por që nuk ia doli dot të lërë gjurmë.

Sport

09/07/2020 10:26

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ish kapiteni i Romës pranon se nuk bëri dot më të mirën në kryeqytetin argjentinas, por thekson se dëshiron të rikthehet atje si trajner për t’u shpërblyer të gjithëve besimin.

“Transferimi te Boca ishte një risi për mua, që asnjëherë nuk kisha ndërruar qytet dhe jo më të shkoja në një shtet tjetër. U ndjeva shumë mirë, por më mungonte shumë familja ime, ndaj ndoshta edhe për këtë, nuk arrita të bëj më të mirën. Edhe pse mund të jem i fundit në listë, një ditë dua të kthehem si trajner këtu dhe të shpërblej të gjithë besimin që klubi pati ndaj meje një vit më parë”, deklaroi De Rossi.

Pasi vendosi tërheqjen nga futbolli, ish mesfushori italian e ka të qartë që e ardhmja e tij do të jetë në botën e stërvitjes, ndërsa pranon se tashmë ka formuar edhe stafin e tij me të cilin po punon në avancë për të qenë të përgatitur të shfrytëzojnë maksimalisht çdo mundësi që u jepet.
“Të ardhmen e shoh si trajner dhe mund të them se që tani kam stafin tim, me të cilët ndjekim ndeshje të ndryshme e përgatitemi. Është një punë e vështirë, ndaj duam të jemi gati të shfrytëzojmë maksimalisht mundësinë e parë që do të na jepet”, deklaroi De Rossi.

Kujtojmë se pak ditë më parë gazetari sportiv italian Gianluca Di Marzio raportoi se De Rossi është kontaktuar nga presidenti i Fiorentinës Rocco Commisso dhe pritet të ulet në stolin vjollcë sezonin e ardhshëm, por gjithçka u mohua më vonë nga manjati italo-amerikan.