De Paul ka një mesazh për skuadrat që duan ta transferojnë atë

Mesfushori i Udineses, Rodrigo De Paul, thotë se nuk do ta kufizojë vetën dhe mund të transferohet në cilindo ekip.

Sport

17/01/2021 10:58

De Paul i bëri këto komente për “SkySport” pas humbjes ndaj Sampdorias, ku aludoi se ai nuk i ka vënë vetës ndonjë kufizim në aspektin se ku do të transferohej, transmeton lajmi.net.

Argjentinasi i dha epërsinë Udineses kundër Sampdorias në pjesën e dytë të ndeshjes, por “Blucerchiati” përfundimisht mori të tre pikët falë golave ​​të Antonio Candreva dhe Ernesto Torregrossa.

Sipas “SkySport”, Liverpool e ka identifikuar De Paul si objektiv për mesfushën, por problem mbetet çmimi i tij prej 40 milionë euro. Edhe Real Madrid mund të jetë një destinacion i mundshëm për të, “Los Blancos” si duket nuk e kanë problem shifrën prej 40 milionë euro.

“Sapo të bashkoheni me një ekip Kombëtar si Argjentina, ndiheni se jeni gati të luani me cilindo ekip. Shpresoj se do të kem një karrierë të shkëlqyer dhe po punoj për ta arritur atë”, tha ai.

Trajneri i Udineses, Luca Gotti është në prag të shkarkimit, pasi Udinese është vetëm tre pikë mbi zonën e rënies. Por, De Paul doli në mbrojtje të tij.

“Nuk është faji i tij dhe as i klubit. Si kapiten i ekipit, unë ndiej që jam përgjegjësi i parë për këtë. Ne e vendosëm veten në këtë situatë dhe tani duhet të dalim prej saj. Ne kemi një ekip të shkëlqyeshëm, ne mund të luajmë në të njëjtin nivel me këdo, por përgjigjet duhet ti japim në fushë. Nëse luajmë kështu kundër Atalantas, do të vuajmë shumë”, përfundoi Rodrigo de Paul./Lajmi.net/