De Niro tërhiqet nga fyerjet për Trump

7:20 | 12 Nentor 2016

Gjatë fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara, aktori i famshëm hollivudian Robert de Niro nuk ngurroi ta sulmonte publikisht atë që është sot presidenti i zgjedhur i vendit.

Donald Trumpit, De Niro i rezervoi etiketime nga më të ashprat, duke nisur nga “njeri pa vlerë”, “idiot”, “katastrofë kombëtare”, e në fund u përfol edhe për dëshirën t’i jepte një grusht në fytyrë.

Megjithatë, tani aktori shprehet më i frenuar në përcjelljen e opinionit të tij mbi zgjedhjet dhe rezultatin e tyre.

“Epo tani ai është president dhe mendoj se gjysma e vendit është e llahtarisur, ashtu siç janë edhe shumë pjesë të botës. Ta shohim se çfarë do të bëjë. Tani është ‘fait accompli’, gjendemi përballë faktit të kryer”, tha Robert de Niro, aktor.

Por a do ta qëllonte sërish me grusht?

“Jo. Atë e tha ai gjatë një mitingu elektoral dhe unë u ofendova shumë”, tha De Niro.

Deni de Vito, i cili në filmin e ri të De Niros, “The Comedian”, interpreton vëllain e tij, u përpoq të shpjegonte arsyet shokuese të kësaj fitoreje.

“Koorporatat dhe media mbështetën kandidatin që deshën të kishin në krye të Shtëpisë së Bardhë. Unë vet jam përkrahës i Bernie Sandersit. Mendoja se Bernie mund ta mposhte Trumpin, sepse Bernie thoshte të vërtetën, por koorporatat mediatike i bënë një mbulim 250 herë më të vogël. Më mirë e fokusonin kamerën në një stadium bosh e të prisnin daljen e Trumpit, sesa të flisnin për Sanders”, tha Deni de Vito, aktor.

“The Comedian” do të shfaqet në kinema janarin e vitit 2017, por premierën botërore e ka tani së shpejti në festivalin e filmit “AFI”.

/ Top Channel