De Bruyne tregon se si e befasoi Sterling: Mendoja se është ‘budalla’

15:30 | 15 Prill 2019

Ylli i Belgjikës, Kevin De Bruyne, ka treguar se si është befasuar nga Raheem Sterling, në ditët e para të tij tek Manchester City.

KDB ka treguar se pritshmëritë e tij për Sterling ishin të këqija. Lojtari ka thënë të ketë besuar se Sterling do të jetë më arrogant dhe me karakter më të keq sesa që është në të vërtetë.

De Bruyne kishte ardhur në ‘Etihad Stadium’ në vitin 2015 dhe që nga atëherë është kthyer në një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, së bashku me yllin anglez për të cilin ka dhënë komente interesante.

“Para se të vija tek Manchester City, nuk e dija se çfarë të bëja me djaloshin e quajtur Raheem Sterling” ka thënë De Bruyne për ‘Player’s Tribune’, transmeton lajmi.net.

“Unë se kisha takuar kurrë më parë, dhe nga ato që lexoja për të, mendoja se ai do të ishte një karakter krejt ndryshe” ka thënë tutje belgu.

“Nuk mendoja se do të ishte djalë i keq, sinqerisht. Por, të gjitha shkrimet thoshin se ai ishte arrogant. Kështu që, mendoja se ai do të ishte ndoshta pakëz ‘budalla’”, ka vazhduar mesfushori i ‘Citizens’.

“Gjatë kohës, unë u afrova shumë me Raheem, sepse djemtë tanë erdhën në jetë në të njëjtën kohë dhe ata luanin së bashku. Ai nuk mund  të ishte më ndryshe sesa shkruanin mediet.”

“E vërteta është se Raheem është një nga njerëzit më të mirë, më bujarë që kam takuar në futboll” ka thënë ndër të tjerash De Bruyne.

Sterling është duke shijuar një nga sezonet më të mira këtë edicion, kurse KDB është akoma duke u rikthyer tek 100%, pas një dëmtimi që e mbajti jashtë fushave të blerta për një kohë të konsiderueshme. /Lajmi.net/