De Biasi pret Berishën

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka njoftuar se brenda kësaj jave do të merr një përgjigje definitive nga sulmuesi Besart Berisha sa i përket rikthimit të tij në ekipin kuqezi.

Sport

14/05/2014 18:07

Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi është duke i vazhduar përpjekjet e tij për të bindur Besart Berishën që të rikthehet në skuadrën kuqezi.

Strategu italian ka njoftuar se është në pritje të përgjigjes nga sulmuesi i skuadrës australiane, Brisbane Roar.

“E kishim lënë që të më kthente një përgjigje javën e shkuar, por më kërkoi edhe pak kohë para se të vendoste përfundimisht. Them se brenda kësaj jave do të kem një përgjigje, nëse do të rikthehet në Kombëtare apo jo”, deklaroi De Biasi për ‘Panorama Sport’.

Berisha ishte pjesë e Shqipërisë gjatë periudhës 2007-2010, por më pas humbi vendin në skuadër dhe nuk u rikthye më, pavarësisht thirrjeve, duke u arsyetuar në distancën e largët të udhëtimeve nga Australia për në Shqipëri.

Por, shkëlqimi i tij në sezonet e fundit në Australi ka bërë që De Biasi të llogarit në të.