Davutoglu heq dorë nga formimi i Qeverisë

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, do ta informojë sot presidentin Recep Tayyip Erdogan se heq dorë nga formimi i qeverisë së re pas dështimit të bisedimeve me opozitën, gjë që mund t’u hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme, ka thënë një zëdhënës i lëvizjes së tij.

Bota

18/08/2015 19:37

Zëdhënësi po ashtu ka njoftuar për mbajtjen, më 12 shtator, të një kongresi gjatë të cilit Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), e cila ka humbur shumicën absolute gjatë zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, mund të hartojë një strategji të re zgjedhore në kuadër të përgatitjeve për këto zgjedhjet e reja, përcjell “zeri.info” raportin e agjencisë “Reuters”.

Nëse asnjë marrëveshje për koalicion nuk arrihet para 23 gushtit, Kushtetuta e autorizon shefin e shtetit që ta shpërndajë qeverinë aktuale në detyrë, dhe të kërkojë formimin e një ekipi të ri pluralist për të qeverisur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë.

Në këtë rast, postet ministrore teorikisht do t’u takonin katër partive që kanë divergjenca të thella ideologjike, gjë që do ta paralizonte ekzekutivin dhe do ta rëndonte krizën politike, e cila, edhe ashtu, ka rezultuar me një rënie rekorde të vlerës së lirës turke.