Daut Haradinaj: UÇK, kapitulli më i ndritur në historinë tonë – lidhja me Shtëpinë e Bardhe e veçantë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka qenë i ftuar në emisionin Rubikon për të diskutuar për ngjarjet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për aktakuzat e paralajmëruara nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Lajme

15/07/2020 09:26

Haradinaj ka thënë në emision se kjo gjë është një goditje ndaj lirisë së Kosovës.

Po ashtu, ai ka folur edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se UÇK është përpjekja më e madhe e shekullit të kaluar për shqiptarët.

“Kapitulli i luftës sonë është një prej më të mirëve që e ka pasur historia jonë. Prej Lidhjes së Prizrenit, prej pavarësisë së Shqipërisë, e deri në luftën e fundit, nuk ka pasur përpjekje më serioze, më gjithëkombëtare, më unike se sa lufta e UÇK-së”, tha ai.

Shefi i deputetëve të AAK-së tha se kombi shqiptar me sukses arriti pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj, gjatë emisionit foli edhe për raportet e veçanta të Kosovës me Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se pa atë shtëpi në Uashington, Kosova nuk do t’i gëzonte tërë këto arritje.

“Jemi krenarë me Shtëpinë e Bardhë dhe si rezultat i përkrahjes së asaj shtëpie jemi sot këtu ku jemi, qoftë me shtet, qoftë me ushtri, qoftë me të gjitha. Çmimi që dikush sot mund ta paguajë, është shumë i vogël karshi storieve të suksesit që i ka arritë Kosova”, theksoi ai.