Darka e polemikave

Presidenca akuzon Vjosa Osmanin e LDK’së për shpifje. Thotë se ajo po shfrytëzon postin e saj politik, në përpjekje për të denigruar figurën e Presidentes. Darka e Lamës sivjet mbahet në shesh të hapur, për të gjithë qytetarët e interesuar ta shijojnë atë.

Lajme

08/11/2013 10:31

Zyra e Presidentes së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës për anulim të ceremonisë vjetore të Darkës së Lamës.

E vendosur nga ish Presidenti Ibrahim Rugova, tradita e organizimit të Darkës e Lamës është vazhduar edhe nga pasardhësi i tij Fatmir Sejdiu dhe Presidentja aktuale Atifete Jahjaga.

Por, Vjosa Osmani ka thënë se mosorganizimi i këtij evenimenti tradicional është “për të të ardhur keq”. Ajo madje ka akuzuar Presidenten Jahjaga se e ka larguar vulën e Presidencës, të vendosur nga Presidenti Rugova, nga dokumentet zyrtare të këtij institucioni.

Por, Presidenca ka reaguar menjëherë.

“Njoftojmë opinionin publik se Darka e Lamës, një manifestim tradicional në Kosovë, këtë vit mbahet më 9 nëntor në Sheshin Ibrahim Rugova, duke qenë e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Njoftojmë opinionin publik se shkrimi në gazetën “Tribuna”, i datës 8 nëntor, me titullin ‘Presidentja shtyn Darkën e Lamës’ përmban shtrembërime faktike dhe përmbajtjesore me qëllim denigrimi dhe përftimi politik. Ftesat për Darkën e Lamës për këtë vit janë dërguar pak kohë përpara se të publikohej shkrimi në Tribunë”, thuhet në reagimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

“Darka e Lamës nuk është anuluar, siç pretendon Vjosa Osmani, që shfrytëzon postin e saj politik, në përpjekje të kota për të denigruar figurën e Presidentes për qëllime dhe përfitime politike në Kosovë”.

“Deklarata e Vjosa Osmanit se Presidentja Jahjaga ka hequr vulën e Presidentit nga përdorimi zyrtar, është shpifje, sepse vula e Presidentit nuk është hequr nga dokumentet e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në manifestimet Darka e Lamës, të organizuar nga Presidentja Jahjaga, ka qenë e vendosur në banerat e këtij manifestimi. Kjo mund të dëshmohet shumë lehtë përmes fotografive të publikuara në faqen zyrtare të Presidentes”.