“Dardha bie nën dardhë”! Këto janë familjet me më shumë se një artist në shtëpi

Estrada jonë është shumë e pasur me emra artistësh të zhanreve të ndryshme muzikore.

ShowBiz

01/05/2018 14:01

Madje, çdo ditë e më shumë shohim në skenë këngëtarë rinj. Në shumë raste, nga një familje ka lind më shumë se një talent që është futur në estradën shqiptare, shkruan lajmi.net.

Disa thonë që e kanë trashëgim zërin, e disa të tjerë vlerësojnë se fama e artistit të dytë që del nga një familje vjen në “krah” të atij të parit.

Por, në shumë raste fama mes këngëtarëve në një familje nuk mund të ndahet, të thuhet se ky ka arritur më shumë famë se tjetri, ngase suksesin e kanë të përbashkët dhe me talent të trashëguar.

Sabri dhe Ermal Fejzullahu

Sabri Fejzullahu është artisti i cili tash e sa vite, i qëndron besnik skenës muzikore, duke llogaritur në repertorin e tij një numër të madh krijimesh artistike. Por, përveç Sabriut, edhe djali i tij Ermali vitet e fundit ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me muzikë. Kjo gjë, është dëshmi se këtë dhunti e kanë të lindur babë e bir. Me muzikë merret edhe djali tjetër i Sabriut, Armendi, por ai nuk është shumë aktiv në këtë profesion.

Nëse flasim për klikime, kur krahasojmë projektet e fundit të të dy artistëve, del që Ermali klikohet shumë më shumë se babai. Kënga e fundit e Sabriut është “Ti”, e cila ka marrë 1 milion kliklime, ndërsa “Fshatarja ime” që vite më parë e këndoi Sabri Fejzullahu, së fundi e përpunoi Ermali dhe e solli bashkë me Ledri Vulën, deri tani ka marrë afro 9 milionë klikime.

Adelina dhe Zanfina Ismaili

Adelina Ismaili e cila ndryshe quhet edhe si “diva e estradës shqiptare”, për shumë vite ka argëtuar publikun me hitet e saj dhe vlerësohej për energjinë të cilën e ka bartur në paraqitjet publike. Tash e një kohë, kjo artiste është larguar prej skenës muzikore, duke u fokusuar në kujdesin për familjen e saj. Në familjen Ismaili, Adelina nuk është e vetmja këngëtare, edhe motra e saj Zanfina ka arritur të pranohet mirë në publik, me gjithë këngët që ka publikuar këto vite. Por, edhe ajo kohën e fundit disi është shkëputur prej angazhimeve në këtë profesion.

Shyhrete Behluli dhe Engjëllusha Salihu

Zhanri i muzikës popullore është i pasur me emra të cilët prej vitesh këndojnë dhe shpalosin projekte të reja muzikore me të cilat suksesi është dëshmuar se është i garantuar duke pasur parasysh se përveç me projekte muzikore, ritmet popullore kryejnë shumë punë edhe në dasma dhe ahengje familjare. Shyhrete Behluli me zërin e ëmbël vazhdon të sjell projekte të reja muzikore, me të cilat prek  tema nga më të ndryshmet. Së fundi, familjes së Shyhretes i është shtuar edhe një artiste, bëhet fjalë për Engjëllushën, vajzen e këngëtares e cila ka zgjedhur të këndojë popullore ashtu sikurse e ëma dhe deri tani po ecën shumë mirë në këtë drejtim. Nëse flasim për klikime, Shyhrete Behluli në projektin e fundit është shikuar mbi 3 milionë herë, kurse Engji me këngën “Fustani i Bardhë” mori 2 milionë klikime.

Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli

Një rast të ngjashëm të familjes ku këndon nënë e bijë, është edhe me Shkurte Fejzën dhe Gresa Behlulin. Me muzikë, Shkurta ka filluar të merret vite më parë dhe vazhdon ende me shumë energji të sjell këngë të reja për fansat e saj. Edhe Gresa është shumë aktive në këtë profesion, madje përveç se ka duete me nënën, ajo është shumë shpesh e pranishme në mbrëmje muzikore bashkë me të.

Nora dhe Era Istrefi

Nora Istrefi është emër shumë i dashur për publikun, ajo ka realizuar shumë projekte tash e sa vite, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshëm. Por, vitet e fundit furishëm në skenë është ngritur motra e Norës, Era Istrefi. Fama e kësaj të fundit ka kaluar kufijt dhe tashmë këngëtarja është orientuar në ngritjen e karrierës ndërkombëtare. Vetëm në projektin “Bon Bon”, Era ka marrë mbi 565 milionë klikime.

Getinjo dhe Mozzik

Në mesin e reperëve që aktualisht dëgjohen shumë në publik janë edhe vëllëzërit Mozzik dhe Getinjo. Dyshja vitet e fundit kanë arritur të fitojnë famë të madhe dhe projektet e tyre po priten shumë mirë në publik. Pra, edhe për këta të dy reperë vlenë ajo që janë të lindur për këtë profesion. Sa i përket klikimeve, nga dy vëllëzërit ferizajas, klipet e Mozzik janë shikuar shumë më shumë, krahasuar me ato të Getinjos. Vetëm projekti i fundit “Ti Amo”, të cilin Mozzik e solli në duet me reperin Veysel ka marrë 27 milionë klikime.

Greta dhe Eni Koci

Në familjen Koci ka dy këngëtare, Greta dhe Eni janë motrat të cilat me hapa të njëjtë po vazhdojnë në karrierën e tyre në këtë profesion që kanë zgjedhur ta ushtrojnë. Motrat Koci janë goxha aktive me projekte të reja muzikore. Sa i përket klikimeve, të dy motrat qëndojnë afërsisht njëjtë në këtë drejtim.

Nysret, Meirta dhe Albatrit Muçiqi

Familje që ka nxjerrë tre artistë në estradën tonë është edhe ajo e Nysret Muçiqit.  Nysreti prej vitesh ka kënduar bashkë me gruan Meritën, ndërsa me tu rritur në një familje ku ushtrohet ky profesion, vitet e fundit me muzikë ka nisur të merret edhe djali i tyre Albatriti, madje ky i fundit është shumë më aktiv sesa prindërit.

Mihrije dhe Naim Abazi

Edhe në familjen e Naim Abazit ka më shumë se një këngëtar, me të pothuajse gjithë karrierën e ka zhvilluar edhe bashkëshortja e tij, Mihrija. Çifti kanë realizuar edhe disa duete së bashku. Ndërsa, së fundi, me muzikë ka filluar të merret edhe djali i tyre, Platori. Por, këndon edhe motra e Mihrijes, Lora.

Beatrix dhe Alban Ramosaj

Vëlla e motër, Beatrix dhe Alban Ramosaj janë dy këngëtarët, të cilët po tregohen shumë të suksesshëm në këtë profesion. Dyshja nuk kanë këngë të përbashkët, por përkrahin shumë njëri-tjetrin në këtë rrugëtim që kanë nisur. Albani ka qenë së fundi më aktiv me projekte të reja sesa motra.

Irma dhe Eranda Libohova

Motrat Irma dhe Eranda Libohova janë dy artiste tjera, të cilat në skenën e muzikës shqiptare kanë dalë nga një familje. Ashtu sikurse në rastet e lartpërmendura, edhe motrat Libohova janë shumë të suksesshme në profesionin që ushtrojnë.

Shkëlzen Jetishi-Xeni dhe Korab Jetishi

Dy artistë tjerë që ka prodhuar një familje shqiptare janë edhe Xeni me të birin, Korabin. Ky i fundit nuk është aktiv ashtu sikurse artistët tjerë në ditët e stome, por në anën tjetër, Xeni është më shpesh i angazhuar si me projekte muzikore, ashtu edhe me koncerte.

Ilir dhe Korab Shaqiri

Ilir Shaqiri njihet për këngët me të cilat ka prekuar tema të cilat në të shumtën e rasteve ia dedikonte atdheut. Vitet e fundit, më i angazhuar në këtë profesion është  djali i tij, Korabi, i cili njëkohësisht është shkolluar rreth këtij profesioni. Por, natyrisht famën më të madhe e gëzon babai i tij.

Motrat Mustafa

Sahide dhe Safete Mustafën po t’i thërrasim kështu si solo artiste, ka shumë gjasë që të mos njihen. Kjo ngase jemi mësuar që këto dy këngëtare gjatë gjithë karrierës së tyre t’i shohim në skenë së bashku. Çdo projekt muzikor e kanë të përbashkët, ndërsa zëri i tyre konsiderohet ndër më të veçantët në estradë. Përveç Sahides dhe Safetes, edhe katër motrat e tyre merren me muzikë.

Por, këto nuk janë rastet e vetme, kur në estradën shqiptare ka më shumë se një artist që këndon në familje. Listës mund t’ia shtojmë edhe disa të tillë siç janë: Edona dhe Milot Llalloshi, NRG Band, Endri dhe Stefi Prifti, Albërie dhe Anxhelina Hadërgjonaj, Adelina dhe Vjosa Emini, Vëllëzërit Mziu, Vëllëzërit Aliu, Yllka dhe Zeq Kuqi, Arta Bajrami dhe Don Arbas; janë disa prej artistëve të cilët janë nga një familje.

Me qejf apo e imponuar, dhunti e lindur apo fati i thënies “dardha bie nën dardhë”, këta këngëtarë po shijojnë sukseset e profesionit të muzikës, i cili krahas argëtimit e lodhjes, padyshim, që u sjell të mira financiare. /Lajmi.net/

(Donika Ahmeti)