Danimarka i dërgon mesazh Armenisë para ndeshjes me Shqipërinë

Selektori i Danimarkës, Morten Olsen, pas ndeshjes me Portugalinë, i lutet Armenisë që t’i ndihmojë para duelit të fundit ndaj Shqipërisë.

Sport

09/10/2015 13:57

Enigma e biletës së dytë për në finalet e Francë 2016 në grupin I ende nuk është zgjidhur. Në garë janë Danimarka me 12 dhe Shqipëria me 11 pikë, dy skuadra që të dielën do të jenë në pozita dhe shanse të ndryshme kualifikimi.

Sidoqoftë, si danezët dhe po ashtu edhe shqiptarët, e dinë fare mirë se në njëfarë mënyre, bileta e dytë e grupit është në “dorë” të Armenisë, e cila të dielën do të përballet në Jerevan me kuqezinjtë e Kombëtares sonë, ndërkohë që danezët do të presin Francën, në miqësoren pa pikë, shkruan “Sportal.al”.

Por edhe pse Danimarka e ka siguruar pjesëmarrjen për në ndeshjet “play-off”, ata vazhdojnë të ushqejnë shpresa për t’u kualifikuar direkt për në finalet e Euro 2016-s. Madje, trajneri Morten Olsen, pas ndeshjes me luzitanët, i lutet Armenisë që t’i ndihmojë.

“Duhet të presim se çfarë do të ndodhë në ndeshje e fundit dhe të shohim nëse armenët do të na ndihmojnë. Përballja jonë me Francën nuk asnjë rëndësi. Jemi shumë të zhgënjyer për humbjen me Portugalinë, sidomos tani që kemi mësuar se Serbia ka fituar në Shqipëri”, do të deklaronte tekniku legjendar i danezëve Olsen pas humbjen ndaj Portugalisë.

Të dielën, ndërsa danezët janë në mëshirë të të tjerëve dhe presin ndonjë dhuratë nga armenët, kuqezinjtë tanë e kanë në duart e tyre shansin për ta fituar biletën e dytë franceze për në finalet e Euro 2016-s.