Dallaveret me patentë-shoferë në Pejë – Gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarit

Gjashtë persona janë arrestuar dje gjatë ditës në Pejë, pas dyshimeve për dallavere me patentë-shoferë. Gjykata Themelore në Pejë në një përgjigje për lajmi.net ka njoftuar se iu është caktuar masa e paraburgimit për një muaj ndaj pesë të dyshuarve ndërsa ndaj një të dyshuare tjetër është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të…

Lajme

25/07/2024 10:30

Gjashtë persona janë arrestuar dje gjatë ditës në Pejë, pas dyshimeve për dallavere me patentë-shoferë.

Gjykata Themelore në Pejë në një përgjigje për lajmi.net ka njoftuar se iu është caktuar masa e paraburgimit për një muaj ndaj pesë të dyshuarve ndërsa ndaj një të dyshuare tjetër është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të njëjtë me të pandehurit tjerë.

“Lidhur me pyetjet si më poshtë, ju njoftojë se ndaj të pandehurve A.SH, R.S, L.G, M.I dhe D.T, është caktuar masa e paraburgimit nga data 23 korrik 2024 deri me datë 22 gusht 2024, ndërsa të pandehurës T.SH, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të njëjtë me të pandehurit tjerë”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës Themelore në Pejë.

Policia e Kosovovës dje ka bërë të ditur se Njësia e Hetimeve për Krimet Ekonomike dhe Korrupsion ka realizuar operacionin në fjalë ku janë bastisur 10  lokacione, tetë prej tyre në regjionin e Pejës, dy në regjionin e Prishtinës.

Këto bastisje janë bërë nën dyshimin e bazuar se janë kryer vepra penale  ‘keqpërdorimi i detyrës zyrtare’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ nga ana e të dyshuarve.

“Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike”,thuhet në njoftim për media.

Po ashtu thuhet se dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë-shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së.

“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.

Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: shtatë mijë e tetëqind euro 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve”, theksohet tutje.