Daka-Kurteshit: Të lutna mos bërtit

Me ‘bërtitma’ e përplasje mes anëtarëve është përcjellë mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shkak i këtij debati mes anëtarëve të komisionit, ishte reagimi në lidhje me publikimin e një aplikacioni online që mbledh informacionet dhe donacionet e qytetarëve jashtë Kosovës.

Lajme

15/01/2021 17:05

Anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi tha se nuk është konsultuar në lidhje me reagimin që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. E që sipas tij, është e rrezikshme dhe e dëmshme, pengimi që është duke iu bërë bashkatdhetarëve për aplikim për të votuar në Kosovë.

“Ai reagim nuk është i KQZ-së, unë kurrë s’jam pyet, nuk jam konsultuar, nuk jam këshilluar, nuk jam njoftuar që ka një reagim të tillë nga KQZ-ja. Është fjala për një aplikacion që e paskan hapur në vendet perëndimore për ndihmë mërgimtarëve që aplikojnë për të votuar. Unë e kam hapur edhe vet atë aplikacion edhe e kam parë për çfarë është fjala dhe pikërisht ky aplikacion është ai që është dashur të bëj shteti i Kosovës, KQZ-ja. Ka pasur si investim kapital 60 mijë euro, meqenëse nuk i ka bërë atëherë e kanë bërë vajza dhe djemtë të ri që po studiuakan jashtë. Më vonë pastaj dëgjova se vërtetë puna ka shkuar edhe më larg, ku janë thirr policia dhe është bërë e madhe”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij, KQZ dhe shteti i Kosovës do të duhej të gëzohej për këtë organizim, në vend të kriminalizonte individët që janë të përfshirë.

Për këtë ka reaguar kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila tha se askush nuk mund të mbledh të dhënat e qytetarëve përveç KQZ-së.

“Në momentin kur dikush i paautorizuar në emër të vet apo kujtdo qoftë apo çfarë do OJQ-je apo Zoti e din se çka mbledh shënimet personale të qytetarëve të Kosovës, si dhe xhirollogaritë dhe kërkon donacione për regjistrime, natyrisht që ne do të reagojmë. I vetmi institucion i cili është i autorizuar t’i ketë shënimet personale është KQZ-ja. Pra, askush dhe askund nuk mund të mbledhë shënimet personale të askujt, aq më pak të qytetarëve dhe të votuesve duke i pasur në dispozicion numrat personal, shënimet personale, numrat e telefonave dhe gjithë ato që ne jemi këtu me ditë të tëra për të diskutuar”, deklaroi ajo.

Daka shtoi se çdo ndërhyrje që ka të bëjë me sigurinë nacionale duhet të ndalohet. Por, me këtë nuk është pajtuar Kurteshi, i cili ka kundërshtuar se ka të bëjë me sigurinë dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. Në këtë aplikacion, siç tha ai, nuk kërkohet numri personal, ditëlindja apo të dhëna të tjera.

“Nuk je ti ai që vlerëson, as unë nuk jam…. ‘Do të thotë po merrka dikush kështu vlerësime, pa e ditur ne. Në emër të fshehtë, kjo nuk shkon më tutje’. A duamë me mbajtë mbledhjen, a jo. Sa herë që të rrezikohen shënimet e KQZ-së.. Të lutna mos e ngrit zërin edhe mos bërtit. Mos bërtit, të lutna mos bërtit. Nëse dëshironi me fillu me bërtit dalim jashtë e bërtasim. ‘Ne e bëjmë publikisht jo fshehtas nëpër zyre’. Zotëri Sami Kurteshi. ‘Zonja Valdete Daka’. Të lutem lejomë të flas deri në fund. ‘Po ma ndal mikrofonin edhe po thua mos bërtit dhe kjo është pafytyrësia tjetër”, i tha Daka Kurteshit.

Përplasja ka vazhduar edhe më tej, derisa Daka ka thënë se do e ndërpres këtë mbledhje.

“Mirë zotëri ekspert a mundemi me vazhdu mbledhjen. ‘Po zonja gjyqtare që nuk e njihni ligjin edhe nuk keni lidhje’. Unë a e njoh ligjin a jo është çështje tjetër, nuk je ti ai që vlerëson ligjshmërinë tem”, u tha më tej.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Hamiti e ka quajtur gënjeshtar Hajdarin.

“Gënjeshtari më i madh je ti i pari, ti i pari. Ti i pari je rrenc edhe gënjeshtar, se je mësua me i qu zërin palidhje një gruaje. ‘Kriminalizimi zotëri Hamiti, lene këtë fjalor, keni marrë vet vendim në KQZ pa u konsultuar anëtarët e KQZ-së”, tha Hamiti.

KQZ dje ka reaguar duke shprehur se ky aplikacion nuk është i autorizuar dhe është në kundërshtim me ligjin dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Mbledhja e Komisionit ka vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës, por që përsëri ka vazhduar diskutimi i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët e tjerë kanë liruar sallën.

Në po këtë mbledhje është njoftuar se janë gjashtë subjekte politike që deri më tani kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje deri më tani është 104.

•Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (33 kandidatë);

•Jedinstvena Goranska Partija (16 kandidatë);

•Srpska Lista (20 kandidatë);

•Romani Iniciyativa (12 kandidatë);

•Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hodzic (13 kandidatë);

•Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (10 kandidatë).