Daka: Anëtari i KQZ-së nga Lista Serbe po bënë deklarata politike
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka i quan deklarata politike ato të anëtarit të KQZ-së, nga Lista Srpsa, Nenad Rikalo, kur tha se lista e votuesve është nxjerrë nga regjistrimi i vitit 1991, e që sipas tij ka qenë i përgjysmuar sepse në atë kohë është bojkotuar.
Lajme
Sipas kryetares së KQZ-së, këto deklarata nuk japin një pasqyrë të drejtë të gjithë asaj se çfarë po ndodhë sot.
“Kisha dashur t’i adresohem një deklarate të anëtarit të Listës Srpska në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, e cila është duke qarkulluar në media, e që ka të bëjë me listën votuese të Komunës së Graçanicës, në të cilën deklaratë thuhet se lista votuese e Graçanicës i adresohet regjistrimit civil të vitit 1991 dhe që bazuar në këtë regjistrim është formuar lista votuese e sotme. Unë vetë desha të them që këto janë deklarata të paqëndrueshme, deklarata politike të një anëtari, deklarata të tij personale nga të cilat ne si KQZ distancohemi në tërësi”, thotë ajo.
Madje sipas saj, në atë vit nuk ka pasur fare regjistrim.
Ajo thotë se, edhe po të kishte regjistrim në atë kohë, Agjencioni i Regjistrimit Civil nga i cili e marrin ekstraktin, është pjesë e institucioneve të republikës së Kosovës.
Ajo bënë të ditur, se e kanë një regjistër civil që e marrin nga ky agjencion e që është bazë për listën votuese, në bazë të së cilës edhe sot votojnë qytetarët e Graçanicës.