“Daja” i Grabovci do të “rehatohet” si drejtor i QKUK-së

Të martën pritet që të zgjidhet drejtori i ri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i cili pritet të jetë Curr Gjocaj “daja” i ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Lajme

20/05/2014 09:09

“Çdo gjë ka përfunduar. Curri që nga nesër do të jetë drejtor i këtij institucioni”, i ka thënë një burim Kohës Ditore.

Curr Gjocaj është një i afërm i Adem Grabovcit, të cilit në incizimet e aferës “Pronto”, Grabovci i ishte referuar si “daja” teksa në bisedë me Kryeministrin Hashim Thaçi ishte ankuar se ai ja kishte “lënë anash”, e teksa ky i fundit e pyeti se nëse e kishte fjalën për “Mazrekun”, Grabovci i ishte përgjigjur “Jo, Curr Gjocajn”.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Shemsi Veseli ka thënë se akoma nuk e di se kush do të zgjidhet drejtor i QKUK-së, por se ka pranuar se Gjocaj është në mesin e kandidatëve më të mirë.

“Unë nuk e di se kush dp të zgjidhet, pasi që nesër do të jepen vlerësimet. Me sa kam unë informacion, Curri ka marrë më së shumti poenë në testin me shkrim dhe në intervistë. Unë patjetër që do të përkrah një kandidat i cili ka më së shumti poenë nga kandidatët”.

E i kontaktuar nga gazeta, Adem Grabovci ka thënë se zgjedhja si drejtor i QKUK-së i “dajës” Curr Gjocaj nuk është befasi.

“Kur flisni për Curr Gjocajn ju duhet të keni parasysh përgatitjen e tij, shkollimin, përvojën e puns, përvojën menaxheriale”, duke sqaruar se ai është daja i gruas dhe jo i tij, shkruan sot Koha Ditore.

Curr Gjocaj aktualisht është drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH.