Daçiq: Kjo është kërkesa kryesore e Serbisë për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka konfirmuar kërkesën e tyre kryesore për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

Lajme

24/06/2019 14:50

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se e dinte se presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk do ta mbante Samitin e Parisit derisa Kosova nuk e heq taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Në pyetjen nëse dështimi i takimit në Paris mund të konsiderohet si humbje, ai ka thënë se më së tepërmi ka humbur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kjo ishte një mundësi për të vazhduar dialogun”, deklaroi ai në konferencën për media me Ministren e Jashtme norvegjeze, Ine Marie Eriksen Soreide, transmeton lajmi.net.

“Vetëm kërkojmë që masat që janë pengesë për dialogun, në fakt, taksa, që është vendim politik dhe jo ekonomik, të hiqet para vazhdimit të dialogut”, u shpreh ai.

“Për ne është shumë me rëndësi të arrijmë një zgjidhje”, theksoi Daçiq duke shpjeguar se kompromisi nuk parasheh që nga Beogradi të kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

I pyetur nëse ekziston mundësia që së bashku me BE-në, SHBA-në dhe Rusinë, në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës të përfshihet edhe Kina, Daçiq tha se deri më tani nuk ka paralajmërime për ndryshimin e formatit të dialogut, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, nëse nuk vjen deri te një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, çështja mund të kalojë tek Kombet e Bashkuara ku do të pyeten Kina, SHBA dhe Rusia. /Lajmi.net/