Daçiq: Kjo është gënjeshtra e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë akuza të reja kundër Kosovës.

Lajme

09/04/2019 08:55

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka insistuar se prioriteti i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Por, ai ka vazhduar me akuza në drejtim të Kosovës duke fajësuar palën kosovare për mos arritjen e një marrëveshjeje.

“Si mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme politike e cila do të ishte në interes të dy popujve që jëtojnë në Kosovë. Dëshira jonë është që të arrihet një kompromis”, deklaroi Daçiq për mediat serbe, transmeton lajmi.net.

“Mirëpo, Prishtinës nuk është se i intereson aq shumë për këtë sepse ata konsiderojnë se nuk kanë nevojë të arrijnë kompromis, ata para pesë vjetësh kanë thënë se shtetësia e tyre ka përkrahje të disa prej shteteve perëndimore dhe se nuk kanë nevojë të bëjnë kompromis”, shtoi ai.

Daçiq ka thënë se situata nuk është e tillë sepse sipas tij Kosova as pas 11 vjetësh nuk ka arritur të përmbyll me sukses procesin e pavarësisë.

“Nuk janë bërë anëtar në Kombet e Bashkuara, nuk mund të bëhen anëtar në OEBS, Këshill të Evropës, nuk mund të hyjnë në BE sepse nuk njihen nga pesë shtete të BE-së. Fjalët se njihen nga 116 shtete janë gënjeshtra të pastra. Sa më shumë që flisni me ato shtete, me të cilat askush në të kaluarën e Serbisë nuk ka biseduar, ata e shohin më shumë si problem që kanë brenda shteteve të tyre në raport me Kosovën”, theksoi shefi i diplomacisë serbe. /Lajmi.net/