Daçiq ‘kërcënon’ Malin e Zi dhe Maqedoninë, pasi mbështetën Kosovën në UNESCO

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, assesi nuk po mund të pajtohet me votën e Malit të Zi dhe Maqedonisë pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Lajme

25/10/2015 13:18

Mediat serbe raportojnë se Daçiq sërish ka thënë se vota e tyre për Kosovën do ketë reflektime shumë negative në marrëdhëniet me Serbinë.

Siç raporton Agjencia Beta, Daçiq ka thënë se këto dy shtete herë do kur do të kërkojnë mbështetjen e Serbisë për organizata ndërkombëtare.

“Ata po ashtu kanë disa kërkesa për organizata ndërkombëtare, por ne nuk do t’i mbështesim”, ka deklaruar ministri i jashtëm serb me një ton hakmarrës.

Ai ka paralajmëruar se vota e tyre pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO përgjithmonë do të jetë një njollë në marrëdhëniet e Serbisë me këto dy shtete.

Anëtarësimi në UNESCO, sipas Daçiqit nuk është i njëjtë me anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik.

“Njëra ka të bëjë me atë si të goditët një top, kurse tjera ka të bëjë me manastirin e Deçanit”, ka thënë Daçiq. /Republika.info