Daçiq i thurë lëvdata Millosheviqit për Kosovën

Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se pa Sllobodan Milosheviqin nuk do të kishte rezolutë 1244, e cila i ndihmon Serbisë për të mos e njohur Kosovën shtet.

Lajme

11/03/2016 13:57

Daçiq, zëvendëskryeministër e ministër serb i Punëve të Jashtme, në një tekst autorial në gazetën e Beogradit “Novosti” ka shkruar se dhjetë vjet pas vdekjes së Sllobodan Milosheviqit janë pak për gjykimin historik, por se të gjithë bashkëpunëtorët ose partnerët e tij sot e dinë se pa të nuk do ta kishin këtë Serbi.

“Shekulli i ri, në esencë, ka filluar pa të si politikan, por dhjetë vjetët e këtij mileniumi, krahas fundit tragjik të Gjingjiqit, e ka shënuar edhe vdekja e Milosheviqit”, ka thënë Daçiq.

Ai thotë se Serbia dhjetë vjet pas vdekjes së tij është tjetër, më afër Bashkimit Evropian, “kemi kthyer sërish respektin në botë “.

“Sërish jemi miq me Rusinë, po bisedojmë me Prishtinën”, ka shkruar ai.

Lideri aktual i socialistëve serbë, Daçiq, ndër vendimet e mëdha politike të Sllobodan Milosheviqit e ka përmendur Rezolutën e KS të KB-së, 1244.

“Rezoluta 1244 i mundëson Serbisë të ruajë pozicionet e veta kur bëhet fjalë për mosnjohjen e Kosovës shtet. Kjo Rezolutë ka qenë njëri nga argumentet më të mëdhenj që e kemi pasur kur kemi luftuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Ajo është po ashtu njëra nga shtyllat kryesore të politikës sonë në bisedimet me Prishtinën”, ka shkruar Daçiq.