Dacici nuk është pop

Në një intervistë për Epokën e Re, Adem Demaçi është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta ndalojë vizitën e Dacicit ndërsa akuzoi Brukselin për koncesione të pafund për Serbinë.

Lajme

19/10/2013 10:16

Simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, Adem Demaçi ka thënë se Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic po vjen në Kosovë për të bërë politikë, e jo në vizitë të karakterit fetar.

Në një intervistë për Epokën e Re, Demaçi është shprehur Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta ndalojë këtë vizitë.

“O lëreni atë punë, se Dacici për politikë po vjen në Kosovë. Ai pop nuk është. Kurrfarë feste fetare nuk ka në Kosovë të shtunën”, ka thënë ai.

I vetëdijshëm se për të marrë lejen që të hyjë në Kosovë, Dacic u desh të ankohet në Bruksel, Demaçi akuzoi Europën për koncesione të pafund ndaj Serbisë.

“Prej fillimi e në mbarim Europa është treguar e padrejtë ndaj Kosovës. Ajo vazhdimisht na ka copëtuar duke i dhënë pjesë të territorit shqiptar herë Greqisë e herë Serbisë”.

“Çka po don Dacici, Europa po ia plotëson kushtet veç Serbia me u ba me Europën. Ata janë të gatshëm edhe Europën për t’ia lëshuar. Dacicin s’mund ta ndalë kush. Europa e di mirë çfarë ka bërë Serbia por ajo po ia falë Serbisë”.

“Nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ka thënë diçka tjetër e ka vepruar ndryshe”, ka thënë ai.

Por Demaçi ka përjashtuar mundësinë që kjo vizitë ta dëmtojë procesin zgjedhor në Kosovë.

“Kjo vizitë do t’i shërbejë Serbisë për t’u treguar serbëve këtu se është me ta dhe mund të jetojnë lirshëm pa frikë. Dacici do ta përcjell mesazhin se serbët nuk guxon t’i prekë askush, madje mund të kërcejnë edhe në valle”.

Sipas Demaçit, Serbia po tenton ta krijojë një “Republika Srpska” brenda Kosovës e këtë, sipas tij, mund ta ndalojë vetëm Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.