Dacic proteston për Vulinin
Ivica Dacic thotë se hetimet ndaj Vulinit përbëjnë shkelje të marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, Prishtina po mundohet t’i dekurajojë serbët e Kosovës të mos dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Lajme
Qeveria e Serbisë do të dërgojë një protestë formale ndaj paralajmërimit për arrestim dhe ndalim të hyrjes së Ministrit pa Portofol serb të ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin në territorin e Kosovës, ka thënë Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic duke thënë se kjo përbën mospërmbushje të marrëveshjes së Brukselit.
“Thaçi mua më ka thënë në prani të Përfaqësues së Lartë të BE’së, Catherine Ashton se Vulin mund të hyjë në Kosovë kur të dojë dhe ku të dojë, por ndaj Nikolicit, Vucicit dhe mua do të shikohet në mënyrë të veçantë. Të gjithë të tjerët mund të hyjnë lirisht”, u ka thënë dacic gazetarëve.
I pyetur se si e komenton paralajmërimin për arrestimin e Vulinit, Dacic është shprehur se Prishtina është e shqetësuar sepse frikësohet që serbët do të dalin në zgjedhjet lokale prandaj “mundohet t’i demoralizojë serbët që të dalin në votime”.
“Edhe pse situata është e rëndë dhe ka shumë probleme, ne do të provojmë ta mobilizojmë popullin tonë që të dalë në zgjedhje, sepse kjo është në interesin tonë”, ka thënë Kryeministri i Serbisë.
Në këtë kontekst, ai përkujtoi se në Mitrovicën e Veriut janë regjistruar në listën e votuesve edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që kanë jetuar atje para vitit 1999 dhe nëse serbët nuk dalin në zgjedhje në numër të konsiderueshëm, ata rrezikojnë shumë.
“Për këtë është e rëndësishme që të kemi një qëndrim të përbashkët të qeberisë dhe popullit në Kosovë”, tha Dacic.
Ndërsa vetë Aleksandar Vulin ka thënë sot se nuk ka marrë ende një informacion zyrtar nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare se ekziston një urdhër për arrestin e tij. Edhe ai tha se prapa kësaj qëndron Prishtina, të cilës “nuk i konvenon që serbët e Kosovës të dalin në zgjedhje”.
I pyetur nëse do të shkojë prapë në Kosovë, Vulin ka thënë se për këtë do të bisedojë me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare “sepse vetëm ata mund ta thonë a mundet apo jo”.
“Nuk di për këtë urdhër, duhet dikush të më njoftojë për këtë”, është shprehur Vulin.