Dacic duket i dorëzuar

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, thotë se Serbia nuk mund të rrijë më me kokë në rërë. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është krijuar në vitin 1999 me Rezolutën 1244 dhe Serbia nuk ka gjetur mekanizma për ta ndryshuar këtë.

Lajme

25/12/2013 10:26

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se duhet të bëhet e qartë që Serbia e mori datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian para së gjithash për shkak të përparimit në dialogun me Prishtinën.

“Ky është një kriter kyç politik dhe kështu do të jetë edhe më tutje. Në bisedime po ecim në teh të thikës, ndërmjet nevojës që Serbia të ecë përpara dhe mbrojtjes së mëtejme të interesave nacionale”, ka thënë Dacic për RTS.

Ditë më parë, Kryeministri serb bashkë me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton janë propozuar nga disa ligjvënës amerikanë për Çmimin Nobel për Paqe.

Dacic ka thënë se nuk ka dyshim që përparimi në bisedime vlerësohet më shumë nga bashkësia ndërkombëtare se sa në vendet respektove, sepse ky dialog, sipas tij, sjell stabilitet në rajon. Por ai ka thënë se nuk beson se ka shumë gjasa që këta tre ta marrin këtë çmim.

Megjithatë, Dacic ka thënë se kjo mund të jetë shenjë e përmirësimit të politikës së jashtme të Serbisë, meqë propozimi ëshët bërë nga Kongresi Amerikan.

“Nuk jemi kandidatë për shkak të së kaluarës sonë, por për shkak se po punojmë për të ardhmen”, ka thënë Dacic.

“Me reforma mund të kishim qenë liderë në Europë, por datën nuk do ta kishim marrë. Datën e morëm për shkak të dialogut me Prishtinën dhe luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit”.

Ai ka thënë se data e raundit të ri të bisedimeve me Hashim Thaçin në Bruksel nuk është saktësuar ende, por ai pret që ky raund të mbahet më 17 janar, pak ditë para konferencës ndër-qeveritare me BE’në e cila do të mbahet më 21 janar “si një presion më shumë”.

I pyetur nëse tani është koha që Serbia ta ndryshojë retorikën e vet ndaj Kosovës, Dacic ka thënë se shteti serb edhe më tej mund të rrijë “me kokë në rërë” por kjo, sipas tij, nuk i bën mirë askujt.

“Qasja jonë ndaj dialogut, dalja në zgjedhjet lokale, kjo e ka ndryshuar tregimin për Serbinë në botë dhe pavarësia sot nuk është temë”, ka thënë ai duke përkujtuar se problemi i Kosovës ka filluar në para disa shekujve, ndërsa në vitin 1999 u miratua Rezoluta 1244, kur bashkësia ndërkombëtare, pas shpinës së Serbisë, e potencoi dhe e krijoi pavarësinë e Kosovës.

Ai shtoi se tani Serbia nuk ka gjetur mekanizma për ta kundërshtuar këtë.

“Nuk mund të udhëheqim luftëra të humbura, në fakt mundemi, por kjo nuk është perspektiva, qytetarët duan t’i zgjidhim problemet”, ka thënë ai.