Daci e quan UP’në Universitet i Teposhtëzës

Akademik Nexhat Daci thotë se kriteret universitare e akademike për avancim në thirrje, me përjashtime të ralla, janë të mjerueshme dhe të ulëta. Sipas tij, Universiteti i Prishtinës është në rënie të vazhdueshme tash e 10 vjet.

Lajme

30/01/2014 19:00

Akademiku Nexhat Daci mendon se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë teposhtën tash e 10 vjet.

Profesori universitar thotë se kriteret universitare për avancim në thirrje janë të mjerueshme dhe të ulëta.

Në një deklaratë për Kosovapress, Daci është shprehur i bindur se edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, pjesë e të cilës është edhe ai, do të reagojë ndaj zhvillimeve të fundit në Universitet.

Sipas Dacit, ky institucion tenton të mos përzihet brenda Universitetit dhe se, në rast se nuk reagon, mbetet përgjegjësi e madhe e Akademisë për situatën e tanishme të krijuar në UP.

“Pikërisht Akademia ka mbetë institucioni i vetëm në të cilën politika nuk i ka futë shputat e veta. Dhe, tani, të konfrontohet me Universitetin do të ishte turp i Akademisë, sepse, në një mënyrë, edhe Akademia, akademikët, e kanë themeluar Universitetin”.

Duke komentuar formimin e Komisionit për shqyrtimin e revistave, në të cilat ka publikuar stafi akademik i Universitetit, Daci thotë se “në parim, formimi i komisioneve është gjithmonë për të blerë kohë, e  për të mos zgjidhur asgjë”.

Ai ka kritikuar edhe sjelljen e Policisë së Kosovës, gjatë protestës së studentëve, gjatë ditës së djeshme, duke vlerësuar se autonomia e Universitetit është e garantuar qysh prej shekullit të kaluar, kurse në Kosovë, tendenca e politikës për ta mbajtë nën kontroll Universitetin, ka qenë e vazhdueshme, qysh pas çlirimit.

“Nuk duhet të lidhemi me një Rektor dhe me një periudhë të sotit”.

“Në parim, ka 10 vjet që ka marrë teposhtëzën. Kriteret universitare, kriteret akademike, për avancim në thirrje janë të mjerueshme, të ulëta, me përjashtime të rralla, edhe pse, në Universitet ka profesorë që janë shumë të ndershëm, që janë jashtë rrjedhave në udhëheqjen e Universitetit që 10 vjet në krejt vertikalen e saj”.

“Ka studentë, me të cilët jemi krenuar gjithmonë. Studimet e doktoratës janë lëshuar, edhe masterit, në atë nivel fyes për institucionin e Universitetit, vetëm për ta përçarë strukturën e Universitetit, për t’i përçarë studentët, me i marrë të dëgjueshmit në poste udhëheqëse në Universitet dhe të ligjërimit. Ndërsa, të gjithë ata që vlejnë, rinia e vlefshme, mezi që s’prettë shkojë jashtë dhe të mos kthehet më në Kosovë”, ka thënë Daci për Kosovapress.