Daci e Haradinaj, për një qeveri si në vitin 2004

Nexhat Daci dhe Ramush Haradinaj bëjnë të ditur se në zgjedhjet nacionale do të garojnë me një listë të përbashkët. Ata thonë se do të preferonin një formulë qeverisëse si ajo e vitit 2004.

Lajme

20/03/2014 12:29

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se Hashim Thaçi ja ka kaluar kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, me premtimet para elektorale.

Haradinaj këtë deklaratë e ka bërë gjatë një takimin me kreun e LDD-së, Nexhat Daci, ku kanë bërë të ditur se partneriteti që kanë pas në zgjedhjet lokale , do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Ata kanë thënë se formula më e mirë qeverisëse është ajo e vitit 2004.

Kreu i LDD-së ka thënë se e ka përkrahur  mocionin e Haradinajt për rrëzimin e qeverisë Thaçi.

“Unë kam propozuar  në vitin 2007 që formula qeverisëse të jetë sikur në vitin 2004. President Rugova, kryeministër Haradinaj, Kryetari i Kuvendit Daci”.

“Kjo e besoj që ka qenë edhe një nisëm e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës para një vit. Sot u dakorduam në plotni dhe unë e fitova përkrahjen, në këtë ide edhe të partnerit tonë, Ramushit”.

“Do të punohet në unifikimin veprues të së djathtës politike në Kosovë, pa vu vija të kuqe”, ka thënë Daci.

Kreu i LDD-së, ka thënë se së bashku me gruan e tij e ka përkrahur  mocionin e Haradinajt, për rrëzimin e qeverisë Thaçi.

Ndërkaq Ramush Haradinaj, ka thënë se do të vazhdojë partneritetin me LDD-në e Nexhat Dacit.

“Partneriteti që kemi pas në zgjedhjet lokale, vazhdon në zgjedhjet nacionale, një partneritet jo vetëm që na mobilizon por, na ndihmon që këtë partnerit ta zgjerojmë edhe më partner tjerë”.

“Ideja e një bashkëveprimi, si formula e vitit 2004, do të zgjidhte shumë preokupime të politikës së sotme, por veçanërisht të qytetarëve. Do të ishte një formulë që do të gjente zgjidhje për të gjitha problemet që i ka vendi”.

Haradinaj  ka deklaruar se nuk e kupton  hezitimin e partive opozitare për mos përkrahjen e mocionit. Ai, ka përsëritur premtimin e tij, për rrogë mesatare 1000 euro, dhe ka thënë se rritja e rrogave duhet tu bëjë zgjidhje të gjithëve dhe jo vetëm një pjesë.