Cuadrado e ëndërron Barcelonën

Shpresat e Juan Guillermo Cuadrados për t’u transferuar në Barcelonën nuk janë shuar ende. Futbollisti i Fiorentinës thotë se nuk e di se cila është e ardhmja e tij.

Sport

24/08/2014 19:01

Në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane, ‘La Nazione’, Juan Guillermo Cuadrado ka siguruar se kapitulli i transferimit të tij të mundshëm në Barcelonë, nuk ka marrë fund ende, duke e lënë të qartë se vazhdon të ëndërrojë që ta vesh fanellën azulgrana.

“Cila do të jetë e ardhmja ime? Nuk e di, ka kohë ende”, ka thënë ai, duke e lënë të hapur mundësinë që t’i bashkohet gjigantit katalunas në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.

Fiorentina, e cila e mban kartonin e tij, kërkon 50 milionë euro për futbollistin e krahut, i cili shkëlqeu në sezonet e fundit.

“Nuk e di se çka do të ndodh me mua, nuk varet vetëm nga unë”, vazhdoi ai.

26 vjeçari ka kontratë me ekipin Viola deri në vitin 2017, ndërsa vlera e tij është 32 milionë euro.