“Contour Global” synon t’i kthejë për katër vjet paratë e investuara në “Kosova e Re”

Kompania “Contour Global” e ka shfrytëzuar në maksimum të qenit e vetme në garën për projektin energjetik “Kosova e Re”. Kërkon që të ketë përfitime maksimale për mjetet që do t’i investojë në ndërtimin e një termocentralit të ri 600-megavatesh.

Lajme

05/02/2015 07:49

Këtë përfitim që e synon kjo kompani amerikane do ta grumbullojë nga faturat e energjisë elektrike që do të paguajnë qytetarët e Kosovës, që llogaritet se janë më të varfrit në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

“Contour Global” ka kërkuar që “norma e brendshme e shlyerjes së ekuitetit” apo siç njihet në gjuhën financiare si IRR, të jetë rreth 25 për qind.

Kaq është interesi që ky investitor e kërkon për paratë e veta që do t’i investojë në këtë projekt, apo rreth 30 për qind të projektit. Në bazë të kësaj norme të kërkuar, ky investitor po synon që t’i kthejë paratë e investuara për vetëm 4 vjet.

Ndërsa gjatë 16 vjetëve të tjerë sa është jetëgjatësia e projektit të gjitha të hyrat do të llogariten si fitim i pastër për këtë kompani amerikane. Nëse Qeveria e Kosovës miraton një kërkesë të tillë, qytetarët e Kosovës do të detyrohen të paguajnë tarifa më të larta të energjisë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka treguar se sa është vlera e IRR-së së kërkuar nga kompania e vetme që ka marrë pjesë në këtë tender, ndonëse është pyetur nga gazeta. Por, burime të kësaj gazete kanë bërë të ditur se IRR-ja që “Contour Global” e ka kërkuar për investimet në Kosovë është në mes 23-27 për qind.