Çollaku konfirmon se me 27 tetor nënshkruhet MSA-ja

Komiteti Politik i Ambasadorëve të BE-së ka vendosur që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën, të nënshkruhet më 27 tetor.

Lajme

21/10/2015 16:36

Këtë vendim e konfirmoi për Radio Kosovën ministri për Integrim Evropian Bekim Çollaku. Ai tha se ky do të jetë moment historik për Kosovën, sepse zyrtraisht Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, proces i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, se në vjeshtë pritet nënshkrimi i MSA, vendimi për një gjë të tillë është marrë nga Komitetit Politik i ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, tha për radio Kosovën se të gjitha procedurat për nënshkrimin e MSA janë në fazën përmbyllëse dhe se të martën e ardhshme pritet nënshkrimi i saj.

“Pjesa ceremoniale, do të thotë nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ëshytë paraparë të ndodhë javën e ardhshëm, më saktësisht të martën me 27 tetor. Ministri Çollaku vlerësoi me këtë rast se po përmbyllet një procesi i rëndësishëm i Kosovës, drejt integrimit evropian”, tha ai.

Çollaku po ashtu ka bërë të ditur se ky do të jetë një moment historik tepër i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, sepse për herë të parë Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale ligjore me BE-në dhe kjo marrëveshje e shtron bazën ligjore të Kosovës për integrimin e Kosovës në BE në fazat e mëvonshme.