Çollaku: Ideja e korrigjimit të kufijve eliminon skenarët që rrezikojnë shtetin e Kosovës

Ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, po bëhet për të eliminuar skenarët e tjerë që rrezikojnë shtetësinë e vendit, ka thënë Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.

Lajme

08/10/2018 22:14

Çollaku madje ka theksuar se ideja e korrigjimit të kufijve ishte diskutuar kalimthi edhe në kohën kur pjesë e çështjeve politike të Kosovës ishte edhe Catherine Ashton.

“Dorëheqja ime ka pasur qëllime të dërgojë sinjalin me mospajtimin e Kuvendit të Kosovës që në atë kohë ishte kundër demarkacionit e që më vonë u dëshmua që ai bllokim ishte i panevojshëm”, ka thënë Çollaku në Klan Kosova.

“Ideja ndoshta është përmendur në mënyrë sipërfaqësore qysh në kohën kur ishte edhe Catherine Ashton”.

“Që nga fillimi i këtij viti mund të them se ka filluar të trajtohet edhe nga shtetet e fuqishme që kanë rol thelbësor në vendet e Ballkanit”.

“Sa kanë evoluar gjërat – kanë evoluar shumë sepse ky skenar ka ardhur në trajtim në konsiderim duke përjashtuar skenarët tjerë”.

“Skenari i ndarjes – fatkeqësisht ende flitet, është skenar i vjetër i Serbisë sepse pretendon ta merr Veriun, ky ka qenë skenar i vdekur gjithmonë”.

“Skenar tjetër ka qenë një skenar me autonomi të zgjeruar sikurse në Bosnje, e prapë kishte rrezikshmëri sepse do humbej Veriu”.