CNN filmon live luftën mes ISIS dhe forcave kurde (Video)

Televizioni amerikan CNN ka transmetuar pamje live të luftimeve mes forcave terroriste të Shtetit Islamik dhe militantëve kurd në Siri, fare pranë kufirit me Turqinë. 

Bota

26/09/2014 22:55

Reporteri i televizionit CNN i cili ndodhej në anën turke të kufirit, është bashkë me një turmë njerëzish, të cilët si spektator brohorasin pro forcave kurde.

Gazetari thotë se forcat kurde të cilat po sulmoheshin nga terroristët e ISIS, përgjigjeshin me zjarr në periudha të shkurtra. Aty shihet teksa bie muzgu,ndërsa lufta vazhdon.

Videoja sjellë një pamje të rrallë të një beteje mes forcave të ISIS dhe luftëtarëve të tyre kundërshtarë në Siri dhe Irak.

ISIS ka arritur fitore të shumta në të dy vendet gjatë muajve të fundit, ndërkohë që forcat lokale janë munduar që të ndalojnë përparimet e tyre në të dy vendet.

Në përgjigje përparimeve të ISIS në fushëbeteja, shtetet e perëndimit në krye me SHBA-të kanë arritur të bëjnë një koalicion ushtarak, në tentim për të shkatërruar këtë grup terrorist. Këtë javë kanë filluar sulmet ajrore kundër caqeve të mbajtura nga ISIS në Siri.

SHBA shpreson se një fushatë e sulmeve ajrore dhe bashkëpunimi me forcat irakiane dhe siriane në terren do të jetë i mjaftueshëm për të ndalur dhe zbrapsur përparimet në terren të ISIS.

Por ekspertët e kanë vënë në pikëpyetje nëse kjo strategji do të kryej punë, pasi forcat në terren nuk kanë qenë në gjendje për të përfituar nga sulmet ajrore dhe ende janë duke luftuar për mbijetesë.

Më poshtë mund të shihni videon ku shihet përleshja e armatosur ndërmjet ISIS dhe forcave kurde: