Clinton pro martesave të së njëjtës gjini

Kandidatja për presidente nga Partia Demokratike, Hillary Clinton dëshiron që Gjykata Supreme të vendosë në favor të martesave të çifteve të së njëjtës gjini.

Bota

15/04/2015 21:26

Kështu ka deklaruar sot për Washington Blade, njëri prej zëdhënësve të Clinton, e cila sot ka vazhduar fushatën e saj, transmeton lajmi.net.

“Hillary Clinton mbështet barazinë në martesë dhe shpreson që Gjykata Supreme do të vendosë që çifteve të së njëjtës gjini tu jepet e drejta për martesë, si e drejtë kushtetuese”, ka thënë ky zëdhënës.

Qëndrimi i Hillary Clinton mbi këtë çështje ka ndryshuar përgjatë viteve. Për herë të parë Clinton kishte thënë se është pro martesave të së njëjtit seks në vitin 2013, por në qershor të po atij viti, ajo deklaroi se u takon shteteve federale amerikane që të vendosin vet se a do të duhej të legalizoheshin këto martesa. Kjo gjë bëri që shumë përkrahës të saj të kishin dyshime se a do ta përkrahë ajo barazinë në martesë edhe në nivel mbarëkombëtar.

“Për mua, martesa gjithmonë ka qenë një çështje për të cilën duhet të vendosin vet shtetet”, kishte deklaruar më parë Clinton. “Dhe në shumë biseda që kam pasur unë dhe kolegët e mi me mbështetësit tanë, unë plotësisht përkrah përpjekjet e aktivistëve të cilët punojnë në çdo shtet veç e veç, dhe kjo gjë faktikisht është duke funksionuar”, kishte deklaruar Clinton.

Gjatë fushatës së saj për garën presidenciale në vitin 2008, Clinton kishte mbështetur sindikatat por nuk kishte mbështetur barazinë e plotë në martesat homoseksuale.

Ndërkaq, gjatë videos, ku Clinton shpalli kandidaturën e saj për garën presidenciale, është shfaqur një çift homoseksual që tregojnë se do të martohen gjatë këtij viti.

Gjykata Supreme pritet të vendosë për martesat të së njëjtës gjini në qershor të këtij viti. Sipas medieve ndërkombëtare, ky ndryshim në qëndrimin e Clinton konsiderohet si një “kthesë e madhe”.(lajmi.net)