Cliff: Nuk u përzihemi partive politike

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff ka thënë se është e drejtë partive politike që të merren vesh për krijimin e koalicionit qeverisës.

Lajme

12/06/2014 14:43

Në një takim me Kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin, Cliff ka thënë se ambasada britanike nuk ka koment lidhur me koalicionin paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.

“Partitë politike kosovare mund të bisedojnë mes veti e të merren vesh, por kjo nuk është çështje e jona sepse ne nuk përzihemi në këtë proces”.

Kurse Haziri, tha se partitë politike të koalicionit janë marrë vesh dhe kanë nënshkruar marrëveshjen, duke mos pasur nevojë për ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

“Ne nuk kemi pasur nevojë të kemi ndërmjetësimin ndërkombëtarë pavarësisht rolit të madh që kanë shtetet e Quintit. Marrëveshja është bërë gjithnjë duke e respektuar të drejtën kushtetuese. LDK kësaj radhe ka bërë një ofertë qytetare për ta nxjerr Kosovën nga kriza kurse LDK përndryshe ka bërë kompromise të dhimbshme tash e 15 vite“ tha Haziri.

Cliff në takim me kreun e Komunës së Gjilanit, kanë biseduar për projekte që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

(Rajoni Press)