Cliff kërkon të merren seriozisht pohimet e Dick Marty-t

Sipas ambasadorit britanik, Ian Cliff, pohimet e Dick Marty duhet të merren seriozisht dhe thellësisht. Nëse i themi jo krijimit të Tribunalit reputacioni i Kosovës do të dëmtohej më shumë dhe do të thoshte se Kosova refuzon standardet evropiane, ka thënë ai.

Lajme

09/04/2014 20:46

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff ka thënë se ”nëse nuk ka raste, nëse nuk ka asgjë për t’u fshehur, atëherë nuk ka asgjë për tu frikësuar nga ky tribunal”.

Në një intervistë dhënë RTK-së, ai konsideroi se pranimi i Gjykatës Speciale rrit besueshmërinë ndërkombëtare ndaj Kosovës, sidomos për vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Nëse nuk e marrim këtë drejtim, çështja do të ngrihet nga Rusia apo dikush tjetër në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj do të detyrohemi të shkojmë drejt një situate, ku do të ketë një tribunal të OKB-së dhe  kosovarët nuk do të kenë edhe aq shumë  ndikim aty”.

Sipas tij, megjithatë ka zëra që kjo gjykatë do të dëmtojë imazhin e Kosovës, por Cliff thotë se nëse nuk ka pajtime për këtë gjykatë, do ta dëmtojë Kosovën edhe më shumë sesa do ta dëmtonte pa u hapur ajo gjykatë.

“Unë e shoh kështu, nëse nuk ka raste, nëse nuk ka asgjë për tu fshehur atëherë nuk ka asgjë për tu frikësuar nga ky tribunal i cili do te operojë apo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës, me prokuror dhe gjyqtarë të Eulex-it apo Bashkimit Evropian, në të cilët mund të besohet”, tha tutje ambasadori Cliff.