Clattenburg shkoi në koncert, i harroi asistentët
Gjyqtari Mark Clattenburg është dënuar pasi nuk udhëtoi së bashku me asistentët e tij pas ndeshjes mes WBA-s dhe Crystal Palace në Premierligë. Ai u ngut për të mbërritur në një koncert.

Sport
Gjyqtari Mark Clattenburg ka mbetur pa ndarë drejtësinë në xhiron e ardhshme të Premierligës për shkak të shkeljes së rregullave për një arsye të pazakonshme.
Clattenburg u dënua pasi udhëtoi i vetëm me veturën e tij të shtunën pas ndeshjes mes West Bromwich Albion dhe Crystal Palace të shtunën, si dhe bisedoi nëpërmjet telefonit me menaxherin Neil Warnock, pas barazimit 2:2.
Gjyqtarët duhet të udhëtojnë për në ndeshje dhe pas saj së bashku me asistentët e tyre.
Por, Clattenburg u turpërua pas lajmit se ai i ‘harroi’ asistentët e tij pasi ishte ngutur për të mbërritur me kokë në koncertin e Ed Sheeran në Newcastle’s Metro Radio Arena.
Megjithatë, kontakti i tij me Warnockun konsiderohet si shkelje më e rëndë e protokollit.