Çka thotë EULEX-i për arrestimin e Salih Mustafës?

Ish- eprori i UÇK-së Salih Mustafa u arrestua sot me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale.

Lajme

24/09/2020 14:10

Ky arrestim u bë me ndihmën e forcave të EULEX-it në Kosovës.

Një një përgjigje më shkrim për lajmi.net nga EULEX kanë thënë se ky mision i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

“Siç është cekur në komunikatën për shtyp, të lëshuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZSP), sot në Kosovë është arrestuar Salih Mustafa  nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të urdhërarrestit, urdhrit për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike ZSP-së në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX për lajmi.net.

Më herët, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett ka konfirmuar për lajmi.net arrestimin e Mustafës.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha Bennet. /Lajmi.net/