Çka tha burri i Gjyljeta Ukellës në polici, pas vrasjes së saj?
Edmond Lajqi i cili po akuzohet se me 16 prill të këtij viti vrau gruan e tij në Pejë Gjyljeta Ukellën, ishte paraqitur vetë në polici. Ai aty kishte thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”. Kështu bëhet e ditur në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Betimi për Drejtësi. Në aktakuzën…

Lajme
Edmond Lajqi i cili po akuzohet se me 16 prill të këtij viti vrau gruan e tij në Pejë Gjyljeta Ukellën, ishte paraqitur vetë në polici.
Ai aty kishte thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”.
Kështu bëhet e ditur në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Betimi për Drejtësi.
Në aktakuzën e ngritur me 19 nëntor, thuhet se më 16 prill 2024 rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, bashkëshorten e tij.
Aty thuhet se i akuzuari për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte pasur me gruan e tij, kishte ushtruar edhe dhunë psikike ndaj saj.
Në aktakuzë tutje bëhet e ditur se një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga sëmundja e kancerit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri është kthyer në banesë në mëngjes, ku prezent ishte edhe vajza e qiftit, dhe i ka kërkuar asaj që të shkonte në dyqan për të blerë diçka, me qëllimin që të mbes vetëm me viktimen e cila ishte duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës.
“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”, thuhet në aktakuzë.
Për këtë veprim, i pandehuri ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173 par. 1 pika 1.3 të KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi se ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën- pistoletën model “Zoraki 917-T” me karikator, në atë mënyrë që i pandehuri me armën e cekur si më lartë ka privuar nga jeta viktimën – bashkëshorten e tij. Andaj, i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.