Çka po ndodhë tek çerdhja në Fushë Kosovë?
Gjatë mbrëmjes së djeshme një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fushë Kosovë, një fëmijë 3 vjeçar u keqtrajtua nga tri edukatore në kopshtin “Gëzimi ynë”. Videoja e postuar nga një familjar, ku tregonte dhunën e ushtruar nga edukatoret në vogëlushin mori hovë menjëherë duke bërë kështu të reagojnë edhe institucionet. Inspektorët e Arsimit dhe…

Lajme
Gjatë mbrëmjes së djeshme një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fushë Kosovë, një fëmijë 3 vjeçar u keqtrajtua nga tri edukatore në kopshtin “Gëzimi ynë”.
Videoja e postuar nga një familjar, ku tregonte dhunën e ushtruar nga edukatoret në vogëlushin mori hovë menjëherë duke bërë kështu të reagojnë edhe institucionet.
Inspektorët e Arsimit dhe Policia e Kosovës sot kanë vizituar çerdhen “Gëzimi ynë” ku një tre vjeçar ka qenë viktimë e dhunës nga stafi i kësaj çerdheje.
Pasi kanë përfunduar inspektimin, zyrtarët janë larguar nga çerdhja duke mos dhënë detaje.
Ekipi i Lajmi.net që po qëndron në vendin e ngjarjes ka tentuar të marrë versionin zyrtar nga inspektorët e arsimit lidhur me këtë rast, por të njëjtit kanë refuzuar të japin detaje duke thënë se kanë bërë vetëm punën e tyre.
Po ashtu në lidhje me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë së Kosovës.
Gjithashtu, edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është deklaruar lidhur me këtë rast.
Nagavci tha se e dënon ashpër dhunën në këtë institucion parashkollor, teksa kërkoi dënimin e merituar ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.
“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, ka shkruar Nagavci.
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar për media pas rastit të dhunës ku ka thënë se dukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në rast po intervistohen nga policia aktualisht.
“Policia e Kosovës e ka bë ftesën në drejtim të edukatoreve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rast dhe në këto momente janë në stacionin e policisë duke u intervistuar.”, tha ai. /lajminet