Çka po ndodh në Shkup?

Ishte fat i madh, historik, që shqiptarët nëpër shekuj nuk kërkuan t'i realizojnë të drejtat e tyre, si popull e si komb, duke u identifikuar me besim-e fetar-e, as atëherë kur ishin të gjithë të krishterë, as kur shumica "pranuan" besimin tjetër.

Opinion

06/07/2014 04:54

Prej dy-tre vjetesh, kur shqiptarët në Maqedoni u shfaqen në protesta me flamuj “të panjohur”, të “zinj”, e të “gjelbër”, ra interesimi për të drejtat e tyre si popull shtetformues në këtë shtet.

Ishte fat i madh, historik, që shqiptarët nëpër shekuj nuk kërkuan t’i realizojnë të drejtat e tyre, si popull e si komb, duke u identifikuar me besim-e fetar-e, as atëherë kur ishin të gjithë të krishterë, dhe as kur shumica “pranuan” besimin tjetër.

Mendjet e ndritura punuan për çeshtje kombëtare edhe në kisha e në xhamia, ato mendje që e kishin të qartë se kombin ua fali Zoti, e fenë e zgjodhën vet, por tani nuk është më nevoja të bëjnë politikë, as priftërinjtë as hoxhallarët.

Sot shqiptarët kanë shtete dhe institucione, që do të duhej të dinin se çfarë ka brenda tyre, të interesoheshin dhe t’ju ndihmonin shqiptarëve në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe kudo që jetojnë, të gëzojnë të drejtat e tyre legjitime.

Kështu do të duhej të ishte! Por çka po ndodh? A e di kush sot se cili është qëndrimi i klasës politike shqiptare në Maqedoni, i Tiranës apo Prishtinës zyrtare, për atë që po zihet këto ditë në Shkup?! Pse për shqiptarët e Maqedonisë ka ende më shumë interesim në Washington dhe Bruksel se sa në Tiranë e Prishtinë?

Është për të ardhur keq dhe me pasoja shumë të rënda nëse klasa politike shqiptare, për interesa të ngushta, vazhdon të tolerojë këtë gjendje amullie politike e religjioze tek shqiptarët e Maqedonisë, dhe jo vetëm atje.

Është e vërtetë dhe e vërtetuar që Serbia (e Maqedonia nuk dallon prej saj), këto 100 vjetët e fundit është përpjekur që përpara Perëndimit t’i paraqesë autoktonët e kësaj toke si fundamentalistë fetarë, radikalë islamikë, barbarë e aziatikë, por deri më tani, edhe pse me vështirësi, shqiptarët e kanë fituar këtë luftë, falë besimit dhe mbështetjes që kanë pasur që prej një shekulli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot shqiptarët, shumica myslimanë, nuk kanë arsye të ndjehën keq dhe as të lejojnë të nëpërkëmben dhe të diskriminohen nga askush për atë se kush janë dhe cilit besim fetar i takojnë, islam a të krishterë.

Por, po ashtu, klasa politike duhet të zgjohet dhe t’ua bëjë me dije të gjithë shqiptarëve se sot proceset politike kombëtare nuk duhet dhe nuk mund nisen nga oborret e xhamive apo kishave, sepse kjo qasje i kthen prapa.

Nikolla Gruevskit, i cili po hingëllon prej kohësh për “Shkupin 2014”, duhet t’ia kujtojnë se kush ishte vërtetë Leka i Madh, duhet t’i tregohet a është Maqedonia e bullgarëve maqedonas, apo edhe e shqiptarëve.

Pra, klasa politike shqiptare në Maqedoni domosdo duhet të këndellët t’ua heq hijën e zezë shqiptarëve atje, e cila po u shkon nga pas. E të arrihet kjo, paraprakisht duhet të këndellën Tirana dhe Prishtina, të mos rrinë duarkryq, ashtu sikurse po bëjnë tani. Ndryshe, Gruevskit do të vazhdojë të sillet si “aleksandër” i Maqedonisë.

“Monstra”, a ka ndodhur vërtetë? Apo, ua montuan shqiptarëve ashtu si dikur Serbia që montoi rastin e Paraqinit, te Martinoviqit, atë në klubin Panda në Pejë (kur vet policia serbe vrau gjashtë adoleshentë serbë, më 1998), dhe raste të tjera kriminale të cilat ua mbështetën shqiptarëve pa pasur gisht në to!

Shqiptarët janë në Evropë, fatmirësisht, por nganjëherë, për fajin e tyre, prej naivitetit, nuk sillen si evropianë. Prandaj duhet të këndellën më shpejt, sepse nuk i dihet se çfarë mund t’ju sjell e ardhmja!? Nuk i dihet edhe për sa kohë do t’u zgjasë durimi dhe t’u ofrojë ndihmë Washingtoni (e Brukseli), pasi ka një fjalë popullore, të cilën e dimë të gjithë: Kur nuk je për vetveten, nuk i duhesh askujt!