“Çka me bo unë?”, Kurti injoron kritikat e Grenell, këmbëngul se raportet me ShBA janë mirë si kurrë më parë

Tri ditë pas deklaratës ‘tronditëse’ të emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, kryeministri Albin Kurti ka vendosur të kundërpërgjigjet. “Çka me bo unë”, ishte përgjigja e kryeministrit Albin Kurti në drejtim të deklaratës së emisarit Richard Grenell. Si zakonisht, Kurti ka vazhduar “të mashtrojë” për raportin e tij…

Lajme

06/02/2025 17:03

Tri ditë pas deklaratës ‘tronditëse’ të emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, kryeministri Albin Kurti ka vendosur të kundërpërgjigjet.

“Çka me bo unë”, ishte përgjigja e kryeministrit Albin Kurti në drejtim të deklaratës së emisarit Richard Grenell.

Si zakonisht, Kurti ka vazhduar “të mashtrojë” për raportin e tij me Amerikën, duke vënë në dyshim edhe njëherë tjetër deklaratat e njeriut të administratës së presidentit Donald Trump.

“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka thënë fillimisht kryeministri Kurti në një intervistë për Istogu Chanel.

Kryeministri Albin Kurti ka qenë i vendosur duke thënë se Kosova ka raporte shumë të mira me Amerikën.

Ani pse Grenell e kishte cilësuar si “mashtrues” pasi që kishte thënë se Kurti gënjen kur thotë se kemi raporte të mira me Amerikën. I pari i ekzekutivit ka vendosur që edhe njëherë tjetër ta përsërit të njëjtën gjë.

Madje, sipas Kurtit punët me Amerikën gjatë mandatit të tij janë edhe më mirë se me qeveritë e kaluara.

Kjo për shkak se sipas tij raportet me Amerikën kanë shkuar në një nivel tjetër. Në atë të ekonomisë e sigurisë.

“Punët kurrë ma mirë nuk i kena pas. Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së  sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh nga Amerika e kemi marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, ka thënë Kurti.

Edhe pse i bindur tha se raportet janë shumë të mirë, ai është pajtuar se ndonjëherë mund të ketë kritika.

“Kanihere ka kritika e vërejtje, por duhet me ec përpara”, tha shkurtimisht Kurti.

Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, i kishte quajtur mashtrim deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin.

Madje ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka shkruar në platformën “X” më 3 shkurt se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit.

“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni. “Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm”.

Postimin e Richard Grenell mbrëmë e ka shpërndarë edhe djali i presidentit Doland Trump, Trump Jr.