Çka ka Messi?

Ish futbollisti i Barcelonës, Juan Manuel Asensi thotë se është i befasuar por edhe i brengosur me formën e dobët të Lionel Messit në periudhën e fundit. Ai dyshon se diçka është duke ndodhur me yllin argjentinas.

Sport

18/04/2014 09:11

Ish futbollisti i Barcelonës, Juan Manuel Asensi ka shprehur brengosjen e tij për sulmuesin kryesor të ekipit, Lionel Messi i cili është paraqitur larg nga forma e tij e zakonshme në periudhën e fundit.

Gjiganti katalan ka pësuar tri humbje të njëpasnjëshme në tri gara të ndryshme duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe humbur në finalen e Copa del Rey.

Përveç tjerash, Barcelona është në pozitë të vështirë të mbrojë titullin e kampionit në La Ligë andaj rrezikon përfundimin e sezonit pa asnjë titull të fituar. Dhe, për këtë faji do të hidhej edhe tek Messi.

“Më befason dhe më brengos shumë. Diçka me siguri se është duke ndodhur sepse Messi gjithmonë i ka zgjidhur ndeshjet e komplikuara”, deklaroi Asensi, anëtar i Barcelonës gjatë periudhës 1979-1981, për të përditshmen sportive spanjolle Marca.

“Nuk besoj se Messi është duke menduar përp ara, e aq më pak për Kampionatin botëror. Ishte duke luajtur për një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, për një titull të rëndësishëm. Për Botërorin ka ende kohë”, përfundoi ai.